Kamberi: Presheva meriton targa të veta, dorëzova iniciativën në Kuvendin e Serbisë
Deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar iniciativë zyrtare në Kuvendin e Serbisë për paisjen e komunës së Preshevës me tabela të veta të regjistrimit të automjeteve, ashtu siç i ka çdo komunë tjetër në vend.
“Presheva, njëjtë si komunat e tjera, meriton të identifikohet me emrin e vet. Prandaj kam dorëzuar këtë iniciativë në Parlamentin e Serbisë,” tha Kamberi.
Ai thekson se në komunën e Preshevës janë të regjistruar 12.387 automjete, ndërkohë që komuna ka 33.449 banorë rezident dhe gjithsej 59.024 banorë duke përfshirë edhe ata jorezident.
“Sipas këtyre të dhënave, është plotësisht e arsyeshme dhe e domosdoshme që Presheva të ketë tabelat e veta të regjistrimit dhe të mos mbajë më ato të qytetit të Vranjës. Ky është një hap drejt barazisë dhe respektimit të identitetit lokal,” shtoi Kamberi.
Ai përfundon se Presheva meriton trajtim të barabartë dhe simbolet e saj duhet të jenë të pranishme, përfshirë këtu edhe targat, ashtu si në çdo komunë tjetër të Serbisë.