Kamberi: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve po ndryshon strukturën etnike në Luginën e Preshevës
Deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi thotë se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe kjo sipas tij, po ndryshon “strukturën etnike” të këtyre komunave, që ndryshe njihen me termin Lugina e Preshevës.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Kamberi thotë se mirëpret reagimin e kryediplomatëve të Kosovës dhe Shqipërisë, që kërkuan që Serbia të ndalë fshirjen e qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Po, ky është një proces që ka filluar para disa vjetësh. Më intensivisht është duke u zbatuar në Medvegjë në shqiptarët që në 99-tën janë larguar dhunshëm nga Medvegja dhe jetojnë në Kosovë, nuk e kanë të rregulluar statusin civil në Kosovë, që do të thotë se akoma janë shtetas edhe me vendbanim në Medvegjë. Por, në kuadër të ligjit për caktimin e vendbanimit po shfrytëzohet një dispozitë e cila thotë se nëse qytetari nuk është duke banuar në vendbanimin që e ka paraqitur, atëherë ai vendbanim pasivizohet. Këtu është fjala për pasivizimin e vendbanimeve”, thotë Kamberi.
Ai shton se qytetarëve të cilët iu pasivizohet adresa, mund të kërkojnë të regjistrojnë një vendbanim të ri, por ai shprehet se kjo bëhet përmes një procedure të stërzgjatur.
Kamberi thotë se nuk ka informacione të sakta se cili është numri i qytetarëve të cilëve u janë fshirë adresat në Medvegjë, por një numër të përafërt e nxjerr nga regjistri zgjedhor.
“Sipas informacioneve që i kemi tani, së paku te regjistrat zgjedhor – sepse me humbjen e vendbanimeve qytetari humb edhe të drejtën e votës – janë diku 1,200 persona që janë fshirë në Medvegjë, pra të moshës madhore, mbi 18-vjeç”, thotë ai, duke shtuar se nuk kanë të dhëna për qytetarët nën moshën 18 vjeçe.
“Shqiptarët, deri më 2018, sipas regjistrit zgjedhor i kanë pasur 8 këshilltarë në Kuvendin komunal të Medvegjës. Me pasivizimin e adresave ata kanë rënë në 3. Kjo nënkupton një ndryshim drastik të strukturës etnike të komunës”, shton Kamberi.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se ky proces që po bëhet në Serbi, përbën formë të re të “shtypjes ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.”
“Prandaj, ndërsa ne e dënojmë fuqimisht këtë praktikë institucionale, u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndërpresin menjëherë punën sistematike për pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Kjo praktikë shtetërore nuk dëmton vetëm të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por është edhe një shpërfillje e plotë të standardeve demokratike në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shefave të diplomacisë të Kosovës dhe Serbisë.
Deputeti Kamberi thotë se ndonëse Medvegja është më e prekur nga pasivizimi i vendbanimeve, ky proces po zhvillohet edhe në dy komunat tjera të banuara me shqiptarë, Preshevë dhe Bujanoc.
Ai shpreh edhe shqetësimin që shqiptarët që janë larguar nga Lugina e Preshevës drejt Kosovës që nga viti 1999, nuk e kanë të rregulluar statusin civil as në Kosovë.
“Në Kosovë, shumica prej tyre nuk e kanë të rregulluar gjendjen civile, kështu që mbeten persona, atë që terminologjia juridike në Serbi i quan ‘persona juridikisht të padukshëm’”, thotë ai.
Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.