Të fundit

Kamberi: Asnjë shqiptar si hetues dhe ndjekës juridik në tërë Serbinë

Postimi i kryetarit të PVD-së, njëherit deputet në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberit

PASI HOQËN PROKURORITË NGA KOMUNAT E LUGINËS, TASH E LËJNË ATË NË VRANJË PA PROKUROR SHQIPTAR – TASHMË ASNJË SHQIPTAR SI HETUES DHE NDJEKËS JURIDIK NË TËRË SERBINË!

Driton Rexhepi nga Bujanoci dhe Fisnik Islami nga Presheva ishin dy shqiptarët që konkurruan për Prokurorinë themelore në Vranjë, që mbulon edhe Bujanocin dhe Preshevën.

Asnjëri nuk u pranuan, ani se plotësonin kushtet.

Këshilli prokurorial përzgjodhi një kandidate serbe nga Vranja.

Kjo, pasi para pak muajve u pensionu i vetmi shqiptar që punonte aty si zëvëndës-prokuror. Tash e tutje, nuk do të jetë asnjë prokuror shqiptar në Prokurorinë themelore, që mbulon një rajon me rreth 30% shqiptarë.

Pasi hoqën prokuroritë nga komunat e Preshevës dhe Bujanocit, tash e lëjnë pa prokuror shqiptar edhe atë në Vranjë.

Pra, tashmë nuk ka asnjë shqiptar si hetues dhe ndjekës juridik në tërë Republikën e Serbisë!

Kjo është dëshmi e radhës se pushteti serb nuk dëshiron integrimin e shqiptarëve edhe kur ata duan. Aq më pak në drejtësi.

Kjo është edhe në shpërputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, të cilat nënvizojnë se në komunat multietnike, struktura e të punësuarëve në organet dhe në institucionet shtetërore duhet t’i përgjigjet strukturës etnike.

Me këtë vendim, Këshilli i lartë prokurorial, veç dy dokumenteve bazike, ka shkelur në mënyrë drastike edhe Rregulloren e punës të Këshillit të lartë prokurorial i cili përcakton obligimin e Këshillit, që në procesin e përzgjedhjeve të kandidatëve për “komunat në të cilat gjuha e pakicave është në përdorim zyrtar, të përzgjedhin kandidatin nga përkatësia etnike më pak e përfaqësuar në prokurori”.

Kjo normë ka për qëllim harmonizimin e srukturës të të punësuarëve në prokurori me strukturën etnike në territorin të cilin e mbulon ajo prokurori. Një normë e shkelur në mënyrë drastike.

Lidhur me këtë rast të ri kam njoftuar edhe përfaqësitë diplomatikë ndërkombëtare të akredituara në Beograd, përfshirë edhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), që po lehtëson dhe ndërmjetëson komunikimin midis të zgjedhurëve nga Lugina e Preshevës dhe zyrtarëve të pushtetit qendror./lajmial