Kakavijë: Fëmija shtrëngon fort në gjoks pasaportën shqiptare e qan: Dua të iki në shtëpi!
Askush nuk mund ta kuptojë çdo të thotë të qëndrosh në pritje të gjata, jo një orë, apo 2 por tre ditë, në mes të vapës, vetëm nëse do të jesh aty, me ta në Kakavijë. Të përjetosh tensionin, sfilitjen, padrejtësinë që të bëhet. Të të zërë nata në makinë dhe dielli i mëngjesit të të gjejë sërish në makinë.
Te mendosh se nuk duan asgjë, vetëm të ikin në shtëpinë e tyre që prej vitesh e kanë ngritur në shtetin fqinj.
Dhe Ani (emer imagjinar që kemi vendosur për fëmijën në foto) nuk do asgjë më shumë, vetëm të shkojë në shtëpi, të luajë me shokë me playstation, por pritja i duket e pafund.
Prej tre ditësh ka fjetur dhe ka ngrënë në makinë së bashku me prindërit. Gjendet mes një grumbull njerëzish që nuk i njeh, vetëm se, si ai duan të ikin. Eshte i rrethuar me policë, kaos, zhurmë.
Ani shtrëngon fort në gjoks pasaportën shqiptare sepse ka frikë se mos ia marrin. Ai e di se e vetmja mënyrë për ta lejuar të shkojë në shtëpi është pikërisht pasaporta, që do ia tregojë policit në pikën kufitare.
Një polic e shkëput nga turma dhe e tërheq mënjanë ta ulë në një bordurë. Fëmija vazhdon të qajë, vazhdon të shtrëngojë në gjoks fort pasaportën dhe me dënesë në gjuhën greke thotë: Dua të shkoj në shtëpi!
Sepse Ani, si Samueli -që humbi jetën dje në aksidentin tragjik në pritje për të kaluar kufirin, – janë fëmijë, të cilët Shqipërinë kanë atdhe, por Greqinë shtëpinë ku jetojnë, ku kanë shkollën, shokët.
Dhe kjo që po përjetojnë fëmijët e shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë në Greqi me familjet e tyre është e padrejtë, është raciste, fyese.
Ani nuk do i harroje lehte këto ditë, ndërsa Samueli vetëm 10 vjec mbylli sytë dhe mori rrugën e parajsës, duke i lënë familjes pengun që do e shtrëngojë në fyt gjithë jetën.
….
Dhe sfilitja vazhdon…
Sot në mbrëmje në orën 22:00 sërish ata që janë në Kakavijë do të dëgjojnë të njëjtën frazë: U plotesuan kuotat 750 tani prisni, “see you tomorrow-mire u pafshim neser”.
Teksa në faqen e facebook të kryeministrit Edi Rama do të vijojë të ketë tek tuk shkrime shfajësuese për situatën, por që do të lihen mënjanë nga shkëlqimi i fotove e video të bukura të realizuara nga propoganda qeveritare që shqiptarëve jashtë, dhe fejsbuksave u ngjallin shpresën se “Shqipëria po bëhet”. ….
….. “Andrra n’beze” thote një shprehje e vjetër shkodrane.