FutbollSporti

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti në Danimarkë refuzon kombëtaren

Talenti 16-vjeçar, Olti Hyseni është i fundit që ka refuzuar Përfaqësuesen e Kosovës, pasi preferon të luajë me atë të Danimarkës, aty ku ka lindur dhe është rritur.

Disa nga lojtarët që luajnë në Evropë po e refuzojnë mundësinë për të luajtur me Kosovën dhe kësaj liste i është bashkuar talenti Olti Hyseni, që e sheh vetën si ‘danez’.

Hyseni është duke mahnitur të gjithë në Danimarkë, pasi ka debutuar në divizionin e parë (liga e dytë) si 16-vjeçar, ndërsa ka shënuar dy gola e dhuruar një asistim në gjashtë paraqitje.

Ai e ka bërë të qartë se qysh në këtë moshë të hershme nuk po e konsideron përfaqësimin e Kosovës pasi ndihet danez dhe që Danimarka ka një kombëtare më të mirë.

“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai nuk kishte pasaportë daneze dhe nuk u lejua. Në vitin 2007 mori leje dhe na u bashkua në Danimarkë, një ditë para se të lindja”, ka thënë fillimisht Hyseni.

“E kam ndjenjën se ka pak për Kosovën brenda meje, por jam më shumë danez. U linda dhe rrita këtu, andaj të luaj për Kosovën nuk është nën konsideratën time”.