Bota

“Ka marrë masa antidemokratike”, izraelitët shpërthejnë në protesta kundër kryeministrit të vendit

Më shumë se dy mijë izraelitë u tubuan në sheshin Rabin të Tel Avivit të dielën për të protestuar ndaj masave antidemokratike përgjatë pandemisë Covid-19 dhe politikave të ndjekura nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

Protestuesit dolën kundër përpjekjeve të kryeministrit Netanyahu, i cili synon krijimin e një qeverie “emergjente” me rivalin e tij kryesor.

Demonstruesit e akuzojnë Netanyahun për përdorimin e krizës së koronavirusit për t’i shpëtuar ndjekjes penale përballë akuzave për korrupsion.

Ata mbanin maska në fytyrë dhe ruajtën distancën nga njëri-tjetri, në përputhje me rregullat e distancimit social, ndërsa kritikuan partneritetin e mundshëm të Netanyahut me rivalin e tij, Benny Gantz.

Disa prej protestuesve mbanin flamuj të zi, të cilët janë bërë simbol i fushatës së tyre gjatë javëve të fundit.

Gantz, i cili gjatë tre fushatave zgjedhore gjatë vitit të kaluar u zotua se nuk do të ulet në një qeveri me Netanyahun për shkak të problemeve të tij ligjore, njoftoi muajin e kaluar se kishte pranuar sugjerimin e kryeministrit për të formuar një qeveri “emergjente” për menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19.

Njoftimi i Gantz zemëroi shumë nga mbështetësit e tij, duke shkaktuar përçarjen mes simpatizantëve të partisë që ai drejton.

Ish-partneri politik i Gantz, Yair Lapit, tha:

Nuk mund të luftohet korrupsioni nga brenda. Nëse jeni brenda, ju jeni pjesë e tij.

Netanyahu është akuzuar për mashtrim, shkelje të drejtësisë dhe pranim të ryshfeteve. Ai ka mohuar akuzat dhe thotë se është viktimë e një mediaje kundërshtore dhe prokurorëve të korruptuar.

Protestuesit të dielën akuzuan Netanyahun se ai po shfrytëzon krizën e shkaktuar nga koronavirusi për të shmangur gjyqin e tij të afërt. Ata vazhdimisht brohorisnin duke thirrur “Demokraci”, ndërsa akuzonin kryeministrin se po rrezikonte institucionet demokratike të vendit.