Bota

Jeta i rikthehet normalitetit, Europa nis hapjen e madhe

Kjo e hënë shënoi lehtësim të ndjeshëm të masave për frenimin e përhapjes së COVID-19 në pjesën më të madhe të Europës.

Italia vatra kryesore e pandemisë europiane, hapi baret, restorantet, qendrat estetike, dyqanet, muzetë dhe kishat. Plani i qeverisë parashikon se qytetarët po ashtu do të mund të lëvizin të lirë mes qyteteve të rajoneve ku banojnë, pa qenë më nevoja e një leje. Lëvizja e lirë në gjithë Italinë do të mund të rikthehet vetëm pas 2 Qershorit.

Për 2 javët e ardhshme dalja jashtë vendit do të jetë e kufizuar vetëm për arsye shëndetësore ose pune. Po ashtu nga sot nis punën edhe transporti publik dhe italianët mund të takojnë këdo nga komuna në komunë deri në 2 Qershor.

Greqia ka rihapur të gjitha vendet arkeologjike pas një mbylljeje dy mujore. Po ashtu, nga sot lejon udhëtimin pa kufizime brenda vendit, teksa nga e premtja u hapën plazhet.

Sakaq, Greqia, Italia, Spanja, Franca e Gjermania kanë në plan të rikthejnë lëvizjen e lirë brenda Schengenit në fillim të Qershorit, periudhë kur pritet të lejohen edhe hyrjet e turistëve të huaj./opinion.al/ministrialajmeve.com