Të fundit

Jep dorëheqje Osman Ejupi, njeriu i cili punësoi katër fëmijët në Telekomin e Kosovës

Osman Ejupi i cili gjatë qershori të vitit të kaluar ka punësuar katër fëmijët e tij në Telekomin e Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga Bordi i Drejtorëve të Telekomit pas këtij skandali, transmeton Gazeta Metro.


Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.

Osman Ejupi u përzgjodh të jetë anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik, e pak muaj më vonë të katër fëmijët e tij iu bashkuan Telekomit.

E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s, transmeton Gazeta Metro.

Një javë me vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.

Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi.

Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro, transmeton Gazeta Metro

E pas të gjitha këtyre, Osman Ejupi i cili deri sot ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve në Telekomin e Kosovës, sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga kjo pozitë.

Ai në letrën e largimit ka thënë se në cilësinë e anëtarit të Bordit nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe asnjë ndikim në punësim dhe së dyti së punësimi i njerëzve të afërt sipas tij është bërë sipas procedurave të Telekomit të Kosovës.

“Përmes kësaj letre ofroj dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm nga pozita e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Sh.A. Ka qenë përgjegjësi e lartë dhe privilegj të ushtroj funksionet e Anëtarit të Borit të Drejtorëve nga prilli 2018 dhe edhe njëherë u ri-siguroj se funksionin tim si anëtar i Bordit e kam ushtruar me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në secilin rast për interesin më të mirë të Telekomit të Kosovës. Sikurse është e dokumentuar në të gjitha minutat e takimeve të Bordit të Drejtoreve dhe Vendimet e marra, duke përfshirë edhe rastet shumë të ndjeshme të trashëguara në Telekomin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.