Shqipëri

Jep dorëheqje kryebashkiaku i Kuksit, u filmua duke kryer marrëdhënie intime në zyrë

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, nëpërmes një reagimi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryebashkiakut.

Ai ka kërkuar ndjesë publike, siç ka shkruar, secilit që e ka parë “videon e shëmtuar”. Ka thënë se ka rënë pre e nje kurthi.

“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Shpreh keqardhje për ngjarjen dhe jam më se i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, ka shkruar Gjici.

Ai ka thënë se nuk mund të punojë më në atë zyrë shteti. “Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë. Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, ka shkruar ai.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) kishte nisur hetimet ndaj Gjicit. Kjo ka ardhur pas shfaqjes së një video në rrjetet sociale, ku Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Videoja thuhet se është xhiruar në qershor, ndërkohë që nuk dihet autorësia. / Euronews.al