Ja çka quan korrigjim Daçiqi, ja cilat pjesë don me ia marrë Kosovës
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, u ka thënë homologëve të tij në disa vende të Evropës se kompromisi me Prishtinën do të mund të jetë korrigjimi i kufirit, që sipas tij nënkupton “zbritjen e vijës kufitare nga Rashka në Zveçan”.
Burime ndërkombëtare kanë thënë se Daçiq, pak para përmbylljes së debatit për shkëmbim territoresh në samitin e Berlinit, është angazhuar “për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, që do të ishte më pak trazuese dhe do të mund të merrte përkrahjen ndërkombëtare, bazuar në përbërjen nacionale të dy komunave dhe afërsinë gjeografike territoriale me Serbinë”.
Burimet thonë se Daçiq e ka cilësuar si “korrigjim të vijës kufitare” propozimin e tij të ri duke mos hequr dorë nga asnjë pjesë e territorit serb.
Ministri serb ka vlerësuar se ky “kompromis do të mund të ishte zgjidhje për problemin dhe se oferta mund të jetë shumë e pranueshme edhe për faktorin ndërkombëtar, i cili e ka parë shkëmbimin e territoreve si zgjidhje problematike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Propozimi i Daçiqit pritet që t’i jepet edhe zyrtarëve gjermanë dhe atyre francezë në ditët në vijim, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës në Paris më 1 dhe 2 Korrik, me ftesë të Presidentit Macron.
Propozimi serb për “kompromis me Prishtinën” do të dominojë debatet në ditët në vijim dhe do të ringjallë sërish sentimentet në të dyja vendet.
Presidenti serb, Aleksander Vucic, ka thënë sot se korrigjimin e kufijve ka vdekur si ide pasi është kundërshtuar edhe nga shërbimet sekrete të vendeve të fuqishme.