BoksSporti

Isufi po vazhdon stërvitjet, shpreson të vijë sërish te meçi për titull bote

Shefat Isufi nuk ka ndalur me stërvitje, ani pse sporti në të gjithë botën ka ndaluar, shkaku i pandemisë COVID-19. Boksieri tërrnocas, nga komuna Bujanocit, ishte paraparë të boksonte më 10 prill në Zvicër, por mbrëmja u anulua shkaku i pandemisë.

“Unë jam duke vazhduar stërvitjet çdo ditë në palestrën time me trajnerin tim personal të boksit. Ushtrimet fizike po i bëj vetëm, pasi palestra ku jam stërvitur është mbyllur shkaku i pandemisë. Për momentin nuk kam një datë të caktuar, sepse nuk po dihet se sa gjatë do të zgjasë kjo pandemi, por me kalimin e kësaj gjendjeje unë do të jem i gatshëm të ngjitem në ring. Unë kam një mesazh, që të gjithë t’u përmbahen sa më shumë rregullave, të mos shëtisin pa pasur nevojë, ta bëjnë këtë për të mirën e vet dhe të familjarëve të tyre. Uroj që gjithë kjo të kalojë sa më shpejt”, ka thënë Isufi për “KOHËN”.

Isufi 30-vjeçar bokson në kategorinë super të mesme, ndërsa në ringun profesionist ai i ka 29 fitore (21 KO), katër humbje e dy barazime. Në maj të vitit 2019, ai boksoi me superyllin britanik Billy Joe Saunders për titullin e botës në versionin WBO. Humbi meçin me vendim unanim pas 12 rundeve. Që nga ajo humbje, Shefat Isufi ka fituar dy meçe. Në nëntor të vitit të kaluar mposhti me pikë pas gjashtë rundeve gjeorgjianin, Levan Shonia. Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar në Zvicër e mposhti me nokaut teknik në raundin e dhjetë sllovakun, Nicolas Holcapfel.

“Shpresoj të arrij përsëri deri te lufta për titull bote. Sigurisht se nëse do të më ofrohet ky rast, do të jem më i përgatitur dhe do të kem përvojë më të madhe”, ka deklaruar Isufi.

Ai vlerëson se të gjitha sportet do të goditen ekonomikisht nga pandemia.

“Unë mendoj se kjo pandemi nuk do të ndikojë vetëm në boks, por në të gjitha sportet. Nuk dihet edhe për sa gjatë nuk do të ketë organizime sportive. E nëse vendoset që në një të ardhme të afërt mbrëmjet e boksit të organizohen pa prani të shikuesve, do të jetë shumë më ndryshe, pasi që shikuesit janë ata që na japin përkrahje dhe ne kemi nevojë për përkrahjen e tyre”, ka thënë ai.