Ismail Kadare, tashmë pjesë e librarisë më të bukur në botë
Të përkthyer në rreth 50 gjuhë të huaja, librat e shkrimtarit Ismail Kadare tashmë mund të gjenden edhe tek “El Ateneo Grand Splendid”.
Kjo librari, e cila ndodhet në Buenos Aires të Argjentinës, është vlerësuar nga National Geographic si “libraria më e bukur në botë”. Pa dyshim, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, Kadare është vlerësuar me çmime të shumta.
Përmendim këtu anëtarësimin në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike në Francë, çmimet prestigjioze si “Prince of Asturias Awards” apo “Man Booker International”, e deri tek nderimi që iu bë prej presidentit francez me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit.”