Irani premtoi “hakmarrje të ashpër”, Trump tallet në Twitter
Presidenti amerikan Donald Trump është tallur me Iranin pasi udhëheqësit e vendit islamik premtuan se do të hakmerren ashpër për eliminimin e Qassem Soleimani, i cili vdiq pas një sulmi ajror të urdhëruar pikërisht nga kreu i shtetit amerikan.
“Irani nuk ka fituar kurrë një luftë, por ama nuk ka humbur asnjë negociatë”, shkroi Trump në Twitter.
Noshta kjo frazë në rrjetin social është edhe një thirrje për të nisur bisedimet.
Më parë, Presidenti i Iranit, Hasan Rouhani, tha: “Nuk ka dyshim se kombi i madh i Iranit dhe kombet e tjera të lira të rajonit do të hakmerren për këtë krim makabër nga Amerika kriminele”.
“Martirizimi i Soleimanit nga Amerika agresore dhe kriminele ka trishtuar zemrën e kombit iranian dhe kombeve të tjera të rajonit. Vdekja e Gjeneralit ka dyfishuar vendosmërinë e Iranit dhe kombeve të tjera të lira për t’i bërë ballë bullizmit të Amerikës dhe për të mbrojtur vlerat e Islamit. Ky akt i turpshëm dhe burracak është një shenjë tjetër që tregon se sa e dëshpëruar është Amerika dhe e dobësisë së saj në rajon”, lexohet në një komunikatë të postuar në faqen zyrtare të qeverisë iraniane.