Irani po përdor rrugë alternative për ta anashkaluar bllokadën detare të SHBA-së
Fushata e bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e ka rrënuar një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe industrive të Iranit, gjë që ka ndërprerë prodhimin vendas dhe ka rritur çmimet e produkteve bazë ushqimore.
Një bllokadë detare amerikane e ka shtuar trysninë ekonomike mbi Iranin, duke penguar tregtinë e tij përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është rrugë jetike detare që praktikisht është mbyllur që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Si pasojë, Teherani është kthyer drejt rrugëve alternative, duke transportuar mallra me kamionë nga Pakistani dhe Turqia fqinje, si dhe duke dërguar ngarkesa nga aleatja Rusia përmes Detit Kaspik.
Irani po shqyrton gjithashtu dërgimin e naftës përmes hekurudhës drejt Kinës, e cila është partnere e rëndësishme tregtare e republikës islamike.
Steve H. Hanke, profesor i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore, tha se rrugët alternative mund ta ndihmojnë Iranin të furnizohet me mallra konsumi, ushqime dhe materiale industriale. Por, ato “nuk mund ta zëvendësojnë një ekonomi detare të bazuar në kontejnerë”.
“Transporti me kamion është më i shtrenjtë dhe kapaciteti i Detit Kaspik është i kufizuar nga portet dhe flotat”, tha Hanke, ish-këshilltar ekonomik i administratës së presidentit amerikan Ronald Reagan.
Priten kosto më të larta të importeve dhe inflacion më i madh për mallrat e tregtueshme, por jo kolaps ekonomik që disa kanë parashikuar”, theksoi ai.
Trump deklaroi në fund të prillit se “e gjithë infrastruktura e naftës së Iranit do të shkatërrohej” sepse bllokada amerikane po e pengonte Teheranin të eksportonte naftën, burimin kryesor ekonomik të vendit.
