Magazina

INTERVISTA: Eliana, 25 vjeçarja shqiptare në Bankën Botërore që “modelon” ekonominë e dekadave që vijnë!

Eliana Tahiri është vetëm 25 vjeçe dhe falë këmbënguljes dhe vullnetit që e karakterizon, ajo sot është pjesë e Bankës Botërore, në zyrat qendrore në Washington, konkretisht në Departamentin e Thesarit.

Rrugëtimi i Elianës ka nisur fill pas përfundimit të studimeve të larta në Tiranë për tu shpërngulur me studime në Francë, aty ku dhe u rrit profesionalisht falë eksperiencave të punës në sistemin bankar, por edhe në ambasadën shqiptare.

Studentja shqiptare me rezultatet e shkëlqyera, e cila tashmë është ndër të shumtët shqiptarë që punojnë në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, rrëfen për fillimet dhe jetën e saj në Washington.

Në Janar të këtij viti unë mbusha 25 vjeç. Jam rritur në Tiranë, ku dhe kam kryer arsimin fillor në shkollën “Emin Duraku” dhe atë të mesëm në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Më ka pëlqyer gjithmonë matematika, megjithatë vendosa të vazhdoj studimet e larta në fushën e Financës, tek Fakulteti i Ekonomisë nisur dhe nga fakti që tregu i punës për matematicienë në vendin tonë është i kufizuar.

Përtej matematikës kam mësuar pianon për disa vite si dhe kam ndjekur kurse të dansit sportiv, gjuhëve angleze dhe franceze.

-Pas studimeve në Shqipëri ju jeni zhvendosur në Francë. Pse zgjodhët këtë shtet?

Ishte një zgjedhje komplekse. Programi master që zgjodha, “Modelizimi Matematik në Financë dhe Ekonomiks” në Universitetin e Sorbonne-s, ofrohej në anglisht dhe kishte një kosto të përballueshme, për më tepër përfitova dhe bursën “Sorbonne”.

Pavarësisht këtij lehtësimi financiar, përballimi i kostos së jetesës kërkonte sakrifica nga unë dhe nga mamaja ime, por që në fund ia kemi dalë mbanë për çdo gjë. Këtë program e gjeta mbas shumë kërkimeve online, në faqjen e Këshillit të Europës. Fakti që kisha njohuri në frengjisht, më ndihmoi më tepër në zgjedhjen time. Gjithçka nisi nga një kërkim i thjeshtë, regjistrimi në shkollë e më pas zhvendosja ime në Francë, ku dhe studiova dhe jetova për dy vite.

Cili ka qenë rrugëtimi juaj në Francë dhe sa e vështirë ka qenë për një studente nga Shqipëria të arrijë rezultate të shkëlqyera?

Fillimi ishte tepër i vështirë, sepse programi që unë kisha zgjedhur të studioja “Modelizimi Matematik në Financë dhe Ekonomiks” ishte i drejtuar për studentë të fushës së matematikës dhe statistikës.

Për këtë arsye, më duhej të lexoja libra shtesë të këtyre dy fushave edhe në nivelin bachelor në Francë. Gjatë këtij viti, krahas studimeve, bëra një internship në Ambasadën e Shqipërisë në Paris, i cili më ndihmoi në integrimin tim në këtë vend.

Menaxhimi i kohës dhe i ngarkesës ishte sfidues, megjithatë ia arrita të diplomohem me rezultate shumë të mira. Këto rezultate me nxitën të mendoj: “Pse jo, mund të vazhdoj studimet matematikë e aplikuar në inxhinieri financiare!”. Ndaj vendosa të aplikoj në École Polytechnique. Ky program konsistonte në aplikimin e metodave të fizikës, inxhinierisë, matematikës dhe programimit në financë, pra në përgatitjen e studentëve në analistë kuantitative në research apo si profesionistë.

Pavarësisht vështirësisë së programit, mënyra e mësimdhënies së pedagogëve të mi në këto universitete ishte mjaft motivuese për të vazhduar para.

Gjatë periudhës që studiuat në Francë ju keni qenë gjithmonë në kërkim të një pune që keni ëndërruar dhe besonit fort se një ditë do t’ia arrinit. Si ratë në kontakt me Bankën Botërore, ku dhe aktualisht punoni?

Dëshira ime ka qenë të punoja si një profesioniste e zonja në fushën ku unë studioja. Mbas vitit të parë të studimeve, bëra një internship në zyrat qendrore të “Société Générale” në Paris, në Departamentin Cross-Asset Research; ndërsa mbas vitit të dytë, bëra një internship në zyrat qendrorë të BNP Paribas, në Departamentin Asset-Liability Management Treasury.

A ka shqiptarë të tjerë që punojnë në Bankën Botërore?

Po, ka shumë dhe janë njerëz mjaft të përgatitur. Kemi krijuar një rrjet komunikimi midis nesh, flasim dhe dalim shpesh për takime miqësore herë pas herë.

Dhe për ta mbyllur, një mesazh për të rinjtë që aspirojnë të bëhen dikushi në jetë.

“Arsimi është arma më e fuqishme, të cilën ju mund ta përdorni për të ndryshuar botën” – Nelson Mandela.