Ikja e madhe e të rinjve nga vendi – ‘Institucionet nuk punuan në ndaljen e saj’
Ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë frenuar proceset ekonomike për krijimin e një ambienti më të mirë afarist në Kosovë, janë penguar dhe po pengohen shumë projekte të rëndësishme të cilat do ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit.
Kosova po përballet më ikjen e të rinjve nga vendi në mungesë të vendeve të punës dhe mungesës së perspektivës, ndërkohë që institucionet e vendit nuk kanë bërë pothuajse asgjë për ndaljen e tyre.
Bizneset po përballen me mungesë të punëtorëve gjë që po pengon zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.
Nga universitet e Kosovës po dalin studentë të pa përgatitur për tregun e punës. Këto dhe të tjera i thotë në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
“Tendencat e qytetarëve të Kosovës, në mesin e tyre të rinj, qofshin ata që kanë një vend pune, qofshin ata që nuk kanë vende pune dhe nuk kanë perspektivë, janë reflektim i situatës ekonomike në vend. Kosova po që ka pasur një rritje ekonomike deri në 5 për qind, ne kemi thënë vazhdimisht kjo nuk mundëson as krijimin e vendeve të punës, as përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Zeka, për Radio Evropa e Lirë.
Zeka ka shtuar se “Në këtë situatë, natyrisht që një pjesë e madhe e qytetarëve do të synojnë që jetë më të mirë të kërkojnë në një vend tjetër. Është një tendencë rajonale, është një tendencë që e shohim edhe në vendet tjera, por në rastin e Kosovës është më e madhe”.