LajmeTë fundit

Ska koalicion mes VV-s dhe LDK-s thot Haxhiu

“Jo falemnderit”, është përgjigja e Albulena Haxhiut, deputetes së zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për pozitën e presidentit dhe gjysmën e ministrive në ekzekutiv.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Haxhiu ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm, e ka betonuar apetitin e saj për ndarjen e posteve shtetërore në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre. Përveç që i duan zv.KM e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e don edhe kryeparlamentarin edhe presidentin”, ka thënë Haxhiu.
“Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo falemnderit.”

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa paralajmëroi sot se në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë si parti do të shkojnë në opozitë.

Lidhur me çështjen e Ministrisë së Brendshme që ajo t’i takojë LDK-së, Mustafa nuk deshi të komentojë këtë duke thënë se të gjitha ministritë janë të rëndësishme.

Derisa kreu i VV-së Albin Kurti ka thënë më herët se mund të kërkojë emrin nga radhët e LDK-së për president, kryetari Mustafa tha se ende nuk kanë përcaktuar emra për president dhe as për ministra, as për zëvendës ministra dhe as për kryetar të Kuvendit.

“Emrin e kandidatit për president do ta japim në momentin e procedurës së zgjedhjes së presidentit. Vetëvendosja na ka pyetur a keni plan B. Ne u kemi thënë se plani ynë është që të shkojmë në opozitë. Nëse s’e bëjmë koalicionin, nuk bëjmë asnjë marrëveshje me partitë tjera dhe nuk e presim as presidentin. Jeni të sigurt se nuk ka plane tjera”, u shpreh kryetari Mustafa.