Hyseni: VV të dalë me qëndrim të prerë për marrëveshjen, sharlatanat e saj nuk i marrim seriozisht!
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk sheh vullnet dhe guxim politik tek Lëvizja Vetëvendosje për të ndërtuar qeverinë e re.
Në këto rrethana, nënkryetari i LDK-së Skender Hyseni, i ka thënë Gazetës Blic se nuk do të pranojnë të hyjnë në qeveri me VV-në përderisa nuk kanë sjellje korrekte dhe dominon mosbesimi në partneritet
“Ne jemi sjellur me Lëvizjen Vetëvendoje në mënyrë korrekte derisa kjo ka munguar nga ana e tyre dhe në këto rrethana në në asnjë formë nuk do të pranojmë që të ndërtojmë qeveri, në të cilen do të silemi si kundeshtarë poltik. Vetem një qeveri ku dominon sensi i partneritetit dhe mirëbesimit e çon vendin përpara”, tha ai
Hyseni, tha se janë në pritje të një përgjigje definitive nga VV-ja për të tejkaluar këtë situatë, duke mos i marrë në konsideratë qëndrimet e zyrtarëve të kësaj partie, që sipas tij po sillen me përbuzje ndaj LDK-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dje ka bërë publike poropozimin e saj të fundit i cili është mjaft i balancuar dhe korrekt, jemi në pritje të një reagimi nga Vetëvendosje për një përgjigje përfundimtare, për të rrumbullakësuar këtë çështje, megjithëse ne e dimë se tash e dy muaj Vetëvendosje është sjellur sikur të ishte në fushatë elektorale, duke apstrofuar dhe akuzuar zyrtarë të caktuar të LDK-së dhe duke nxjerrur sondazhe, si një formë presioni dhe ‘kërcenim’ se si do të dalin në zgjedhje të reja.
Por ne nuk i marrim seriozisht disa zëra sharlatan të Vetëvendosjes që tërë ditën sillen me perbuzje ndaj LDK-së, por presim një qëndrim të qartë nga partia VV”, u shpreh Hyseni.
Skender Hyseni, LDK
Numri dy i LDK-së ka shprehur gatishmëri për të qëndruar edhe në opozitë, duke lënë të hapur rrugën e formimit të qeverisë nga VV me subjektet tjera politike, ndonëse vendimi për vija të kuqe ka qenë i gabuar sipas Hysenit
“Ne jemi të gatshëm për të qëndruar edhe ne opozitë, nuk e kemi fare problem këtë gjë, Lëvizja Vetëvendosje le të ndërtojë qeverinë me parti tjera, lë të heq vijat e kuqe sepse vendosja e vijave të kuqe është shkurtpamësi poltike në një ambient politik si Kosova, me nje sistem elektoral tersisht proporcional. Unë e kam thënë edhe në LDK që logjika e vijave te kuqe, është vetvetiu përjashtuese, dhe si e tillë bllokon zgjidhjet”, tha Hyseni, duke shtuar se LDK nuk do të lejojë që vendi të futet në bllokadë institucionale, “LDK do të veprojë konform interesave të vendit, jo atyre personale, siç po vepron tani Vetëvendosje, qytetarët kanë treguar vullnetin e tyre në zgjedhje dhe nuk duhet deformuar ai. Lidhja Demokratike e Kosovës si parti institucionaliste dhe serioze do të angazhohet qe të mos lejohet që vendi të futet në bllkadë institucionale.”
Tutje, Hyseni përsëriti se janë në pritje të një përgjigje të prerë nga VV për të dalë pastaj me një qëndrim të ri se si duhet të veprohet më tutje, për krijimin e institucioneve të reja.
Unë nuk jap qëndrime hipotetike, deri sa Lëvizja Vetëvendosje të jap një përgjigje të prerë nuk mund ta nxjerrë qëndrimin tim se si duhet të veprohet më tutje”, tha në fund ai.
Ndryshe, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për arritjen e një koalicioni qeverisës.
Deri më tani liderët e të dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar 8 herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, por përpjekjet e deritashme kanë qenë të pasuksesshme./