Lajme

Hyseni: Serbia u mundua ta hapë temën e Asociacionit, ne refuzuam kategorikisht

Koordinatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni ka deklaruar pas takimit në Bruksel se të enjten nuk është diskutuar fare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Natyrisht se delegacioni serb bëri përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e refuzuam kategorikisht”, ka thënë Hyseni.

Ai nuk ka dashur t’u përgjigjet komenteve në Kosovë rreth kësaj çështjeje.

“Por, duhet theksuar një fakt: Që janë dy marrëveshje të Asociacionit të nënshkruar më 2013 dhe 2015. Në marrëveshjen e Asociacionit të vitit 2015, Gjykata ka bërë komentet e saja në 21 apo 22 çështje të veçanta dhe as Gjykata nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet të zbatohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se puna tani qëndron tek statuti i Asociacionit.

“Natyrisht se në Prishtinë do të merret një qëndrim i qartë politik për këtë punë”, ka thënë ai, duke shtuar se ai insiston pikërisht për një gjë të tillë.

Të enjten në Bruksel u bisedua rreth çështjes së pretendimeve apo obligimeve financiare të ndërsjella, ka bërë të ditur ndërkaq ai, duke thënë se kjo përbën një nga elementet e marrëveshjes së përgjithshme për njohje reciproke. Por, si ka vazhduar ai, palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth kësaj çështjeje.

“Natyrisht se qëndrimet janë shumë të kundërta në këtë temë. Ne e shohim çështjen e sukcesionit si çështje që duhet të bëhet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, mbi praktikat e sukcesionit që kanë ndodhur midis entiteteve të ish-Jugosllavisë, tani shtete të pavarura dhe ky është qëndrim i Republikës së Kosovës”, u ka thënë Hyseni gazetarëve pas takimit, duke vazhduar se në këtë mes përfshihet edhe borxhi i jashtëm.

Si ka deklaruar ai, sa i përket borxhit të jashtëm, Kosova ka qëndrim shumë parimor.

“Te borxhi i jashtëm ne do të insistojmë që të aplikohet parimi i përfituesit të fundit. Pra, nëse një borxh i jashtëm i ish-Jugosllavisë është investuar për ndonjë projekt madhor në Kosovë dhe dihet se cili është përfituesi i fundit, atëherë ne do ta ndjekim këtë linjë”, ka sqaruar Hyseni.

Si ka thënë Hyseni, nuk do të ketë devijime prej kësaj linje.

“Pasi, Kosova është shtet i pavarur dhe kjo temë mund të bisedohet vetëm mbi bazën shtet-shtet dhe duke vendosur instrumente për zbatim, instrumente këto që janë të ndryshme. Ta zëmë, një ditë puna mund të shkojë deri te Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit”.