LajmeTë fundit

Aksioni në kryeqytetin serb rikonstruon krimet e Serbisë në Kosovë

Me aksion publik, Rikonstruimi i krimit, në Beograd është shënuar 20-vjetori i krimeve serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Fondi për të Drejtën Humanitare, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe organizata Gratë në të Zeza, para ndërtesës së Akademisë serbe të Shkencave, mbajtën këtë aksion, raporton Ministria Lajmeve

Rreth 20 aktivistë bartën slogane në të cilat shkruante edhe në shqip se krimet në Kosovë ende mbahen mend.

9 persona, për disa minuta, u shtrinë në rrugë duke përkrahur pohimet e organizatorëve të aksionit, që civilët shqiptarë ishin të ekspozuar ndaj spastrimit etnik, derisa formacionet e ndryshme serbe kryen shumë krime, përfshirë ndjekjen e 800 mijë banorëve në Mal të Zi, Maqedoni e Shqipëri.

Kjo ndjekje ishte përcjellë me brutalitet, keqtrajtim dhe vrasje e burgosje, zhvendosje të trupave të pajetë në varreza masive në Serbi, me përdhunime, shkatërrim të shtëpive e pronave.

Organizatorët e këtij aksioni kërkuan nga shteti serb që të kryejë evidentim të detajuar të të gjitha viktimave të luftës në Kosovë, me çka do të shmangej manipulimi dhe keqpërdorimi. Gjithashtu, i kërkuan shtetit serb që të ndalë glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Marko Milosavljeviq, nga Iniciativa e të Rinjve për të drejtat e njeriut, porositi se më shumë kujdes kërkojnë viktimat, sesa kriminelët të cilët kanë status yjesh.

“Reagimet e njerëzve sot, flasin shumë se sa është e nevojshme të flasim më shumë për viktima e më pak në kriminelët e luftës që i shohim kudo. Ata u pritën këtu si yje, por nëse duam të ndërtojmë shoqëri që do paqe, duhet t’i njohim viktimat e tyre. Sidomos kur kaluan 20 vjet nga lufta në Kosovë e ne ende s’kemi as listë të viktimave civile”, ka thënë ai.

Stasa Zajoviq, nga Gratë në të Zeza, deklaroi se institucionet shtetërore e shndërruan Ministrinë e Mbrojtjes në promotor të kriminelëve të luftës.

“Civilët shqiptarë përjetuan tmerre. Duam t’i tregojmë këtij qyteti dhe njerëzve se duhet solidaritet, sepse ky aksion i yni është zë kundër fshehjes së krimeve në Kosovë nga formacione të armatosura. Po ashtu, nga institucionet serbe kërkohet të mos manipulojnë të dhënat rreth viktimave”, ka thënë Zajoviq.

Aksioni Rikonstruimi i i Krimit ishte siguruar nga më shumë se 20 policë dhe është i dyti brenda një kohe të shkurtër, i organizuar në Beograd, për të nderuar viktimat shqiptare të Kosovës.