Opinione

Hyseni: Politikanët tanë nuk e kanë shqetësim ikjen e të rinjve nga Lugina

Shkruan Driton Hyseni  

Shqetësimi për ikjen e të rinjve nga vendlindja për në Gjermani, nuk i ndalon politikanët shqiptarë të Preshevës e Bujanocit të vazhdojnë të shtrojnë rrugë, edhe në këto ditë me shi. Ndoshta, nuk mund të dalin jashtë plan-programeve të tyre qeverisëse, por as Bujanoci, e as Presheva nuk kanë aq shumë lagje që të ndërlidhen mes veti me rrugë të asfaltuara, bile s’kanë mbetur as aq shumë njerëz! Por, gjenden rrugë, edhe ku s’ka lagje, edhe ku s’ka banorë, vetëm për të vjedhur.

Ashtu siç janë gjetur shumë mënyra për të vjedhur në ndihmat e dërguar nga Kosova e Shqipëria. Ndoshta, për një opinion më të gjerë këto duken akuza të kota, mirëpo, shqiptarët bujanocas e preshevarë, tashmë i njohin me emra e mbiemra ata që ia kanë vjedhur ardhmërinë të rinjve në vendlindje. Ata nuk shqetësohen me ikjen e këtyre të rinjve, sepse me një fjalë kanë “koontribuar”, në heshtje, ashtu sikurse Serbia! Janë të frikshme statistikat e atyre që janë pajisur me viza pune për në Gjermani, por më i frikshëm është vullneti i dhunshëm që kanë të rinjtë e tjerë për t’iu bashkuar atyre.

Autori është student në Universitetin e Prishtinës