Lajme

Hulumtim: Shumica e qytetarëve serbë e konsiderojnë SHBA-në armike

Shumica e qytetarëve serbë e konsiderojnë SHBA-në armike, tregojnë rezultatet e hulumtimit të publikuar sot nga Instituti për Çështje Evropiane (IEA).

Nga 39 për qind e qytetarëve serbë që e konsiderojnë SHBA-në armike, shumica janë të anketuar më të rinj dhe të moshës mesatare (18 deri në 44 vjeç). Në anketën e sivjetshme, SHBA-të, si mike e Serbisë, tregojnë përqindjen më të ulët të të anketuarve në krahasim me rezultatet e pesë viteve të kaluara, vetëm 16 për qind.

Përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në mund të ndikohet më së shumti nga zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe hyrja e Serbisë në BE, sipas të anketuarve të monitorimit të kryer nga IEA nga 11 deri më 29 maj 2023.

Pothuajse gjysma e 1200 të anketuarve nga Serbia thanë se ata e konsiderojnë të rëndësishme ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë dhe Amerikën. Të anketuarit e moshës 18 deri në 29 vjeç i kushtojnë më shumë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë sesa të anketuarit në kategoritë e tjera të moshave.

Nga ana tjetër, banorët nga zonat urbane mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në në një masë më të madhe sesa të anketuarit nga zonat rurale, sipas rezultateve të një sondazhi të publikuar nga drejtori ekzekutiv i IEA-s, Naim Leo Beshiri në rrjetin social X.

Qytetarët mbi moshën 60 vjeçare më së shumti informohen për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së përmes televizionit, ndërsa të rinjtë më së shumti përmes portaleve të internetit. Në raport me rezultatet e hulumtimeve të mëparshme, është vërejtur një rritje e atyre që nuk marrin informacion.