Lajme

Hoxha: Kemi 100 argumente për dështimet e Qeverisë Kurti

Qeveria Kurti e cila që u votua më 3 shkurt 2020, pati vetëm 53 ditë jetëgjatësi për shkak të rrëzimit të saj në Kuvendin pas mocionit të iniciuar nga partneri i saj qeverisës LDK.

Përkundër kësaj, Qeveria Kurti arriti që të mbërrijë 100 ditëshin e qeverisjes.

Eliza Hoxha nga PDK-ja ka thënë që përkundër që u cilësua si ‘Qeveri e shpresës’, nuk doli të jetë kështu.

Ajo në Edicionin Special në Klan Kosova, ka theksuar se kjo qeveri gjatë kësaj kohe ka pasë 100 dështime, që sipas saj, ia vlen për t’u theksuar.

“Disa prej tyre ia vlejnë që t’i ritheksojmë pas rënies së qeverisë Kurti. Ka pasë kritika karshi opozitës pse s’i kemi lënë të punojmë këto 100 ditë. Thjesht kryeministri Kurti, ka krijuar klimë të tillë brenda koalicionit qeverisës; klimë jo bashkëpunuese, ofenduese dhe në mungesë diskutimit dhe dialogimit kanë rezultuar me shkarkime pa marrëveshje mes partnerëve qeverisës”.

“Jo veq ne si parti po edhe qytetarët e kanë pritur si ‘Qeveri të Shpresës’ pasi si e tillë është proklamuar. Votuesi është ushqyer me idenë që këto dy parti (LDK dhe VV) do të bëjnë koalicion nëse do të jenë fituese të zgjedhjeve”.

“Në fakt doli e kundërta , kemi rastin edhe të Kurtit dhe Osmanit të cilët janë shprehur që për 72 orë do të bëjnë koalicionin, përderisa PDK-ja, po atë ditë është deklaruar që do të shkojë në opozitë. I pamë jo 72 orë por 4 muaj diskutim, harmonizim të ideve të cilat asnjëherë nuk arritëm t’i shohim edhe zyrtarisht.

Sipas Hoxhës, Vetëvendosje është thirrur në pandemi dhe kanë nxitur klimë për rrëzimin e Qeverisë pikërisht në kohën e pandemisë.