Hoti synon unitet në Kosovë para takimit në Washington
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se do të zhvillojë bisedime me opozitën dhe forumin e liderëve politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, para se të niset drejt Washingtonit, për ku ka thënë se ka pranuar “me kënaqësi” ftesën e emisarit special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sigurisht ne jemi të nderuar që kemi pranuar këtë ftesë, do të zhvillojmë diskutimet e nevojshme me të gjithë, në përputhje me qasjen që kemi premtuar, në mënyrë që si shtet të dalim unik në këtë proces të rëndësishëm. Unë do të tentoj të kem komunikim edhe me opozitën përpara se të shkojë në Uashington edhe me forumin e liderëve politik të partive parlamentare në kuvendin e Kosovës, për t’i mbajtur të gjithë të përfshirë sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një qeverie por të gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Hoti në ceremoninë e përurimit të segmentit të parë të rrugës që lidh Deçanin me Plavën.
Sa i përket vizitës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Hoti ka thënë se Kosova do të tregojë qëndrimet e veta për dialogun.
“Zoti Lajçak përfaqëson 27 vende të BE-së. Do ta presim me të gjithë protokollin dhe nderimin e nevojshëm si shtet për të treguar qëndrimet tona karshi dialogut. Për ne edhe BE edhe SHBA janë kyçë edhe gjatë procesit të arritjes së marrëveshjes, por në veçanti kur vjen koha e zbatimit të marrëveshjes”, ka thënë Hoti, raporton KP.
Të hënën, Grenell publikisht bëri të ditur ftesën për takim për Kosovën dhe Serbinë për 27 qershor në Washington për të diskutuar për dialogun.