KryesoreMagazina

‘Hope Of Escape’, filmi më i ri për shqiptarët

“Hope Of Escape” ose “Shpresa për ikje” është filmi më i ri që është duke u xhiruar në Amerikë për shqiptarët. Producent dhe skenarist i këtij filmi është shqiptari nga Kosova Tony Balaj, kurse regjia e filmit është realizuar nga Jon Russell Cring. Drejtor fotografie Tracy Nichole Cring, “Pre-Prodaction” dhe “Administrative Work Lang Ross”.

Balaj njofton se xhirimet do të fillojnë më 1 tetor të këtij viti dhe 90 për qind e aktorëve do të jenë amerikanë e 10 për qind shqiptarë. Sipas tij, është paraparë që dhjetë ditë xhirime do të realizohen në Kosovë në lokacione të ndryshme.

Balaj thotë se me ta prezantuar idenë për realizimin e një filmi të tillë ka pritur shumë diskutime nga çdokush që ia ka prezantuar e më e rëndësishmja për të thotë se është fakti që po pasqyrohet një ngjarje reale, e cila ka ndodhur në Kosovë në vitet 1999. Ai thotë se bashkëpunëtorët amerikanë po emocionohen me historinë, e sidomos kur e shohin që brenda filmit ata janë shpëtimtarët e mirëpresin edhe më shumë.

“Hope of Escape” do t’i mirëpresë edhe tre aktorët e njohur në botën e filmit, siç janë Scot Adkins, The Miz dhe Dolph Londgren, me të cilët Balaj njofton se është duke negociuar tani kohën shkaku i angazhimeve të aktorëve. Por që sipas tij këta janë aktorë të pëlqyer edhe nga shqiptarët dhe janë të përzgjedhur posaçërisht secili për rolin përkatës, që do ta kishte zotëruar më së miri. Tony Balaj njofton se ideja e cila është prezantuar para aktorëve e para produksionit ka rezultuar si shumë interesant për faktin se ka të bëjë me një histori reale të dy popujve. “Dëshira ka qenë imja që të zbardhen faktet e një populli përmes filmit. Shumë njerëz në vendin ku jetoj unë në Nju-Jork nuk kanë njohuri se ku është Kosova. Përmes këtij filmi rrëfehet një pjesë e historisë kosovare”, thekson ai.

“Rol të madh ka një grup shpëtimi i amerikanëve i njësitit special ‘Navy Seal’. Gjatë luftës në Kosovë vajza Linda dhunohet para familjes së saj nga ushtria serbe. Gjatë aktit të dhunimit ushtarët serbë detyrojnë me forcë babanë dhe vëllain e vajzës të shohin aktin duke i poshtëruar njëkohësisht edhe ata. Pasi mbahet peng për disa ditë, Linda e gjen një moment të përshtatshëm kur në mesnatë ia përvëlon fytyrën komandantit (dhunuesit) dhe ikën nga dritarja. I vihen pas shumë ushtarë duke e ndjekur. Pas rrëzimit të aeroplanit amerikan ‘F16’ baza ushtarake amerikane në Maqedoni dërgon një ekip këmbësor shpëtimi të njësitit special për t’i nxjerrë pilotët e tyre, të cilët kanë edhe një ushtar të njësitit special të UÇK-së për t’ia treguar rrugën”, njofton Balaj, i cili në detaje njofton për filmin.

Sipas Balajt, ky film është një prej filmave që do të dëshmojë përsëri krimet e luftës, por në një masë më të gjerë të shikuesve. Kurse për detaje të tjera ai thotë se do të duhej parë filmin.