Të fundit

Haziri: Ska zgjidhje të përhershme me Serbinë pa shkëmbim të territoreve

Kosova nuk duhet të frikësohet që t’i mbyllë çështjet e hapura me Serbinë, thotë Lutfi Haziri, përgjegjës i LDK-së për dialogun. Për të, nuk ka zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme, pa shkëmbim të territoreve.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka caktuar Lutfi Hazirin si përgjegjës për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Haziri është ndoshta i vetmi në këtë subjekt politik që shkëmbimin e territoreve e sheh si zgjidhjen e qëndrueshme dhe të përhershme në raportin mes dy vendeve. Ai nuk ka votuar pro një platforme për dialogun, të cilën LDK-ja në maj ia kishte ofruar kryeministrit Albin Kurti, e ku përfshihej mbrojtja e integritetit territorial të vendit.

Haziri ka thënë mbrëmë në televizionin publik se veçse ka filluar të përgatitet për ta mbuluar këtë çështje të rëndësishme. Këtë tha se ia ka kërkuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë qenë të paqasshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express për angazhimin e Hazirit në këtë detyrë.

“LDK-ja e ka historinë e dialogut tash e 30 vjet-31 vjet. E bartë atë histori me vete dhe unë jam i nderuar që në këtë fazë të procesit me qenë përgjegjësi dhe i deleguari kryesor në këtë çështje, e cila do të duhej me qenë edhe prioritet kryesor”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, i cili tha se ka një zhvillim regjional dhe ndërkombëtar rreth një mobilizimi më të madh për çështjen e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus është dialogu Kosovë-Serbi, u shpreh i bindur se kompromiset më të dhimbshme janë kaluar në Rambuje dhe Vjenë. Ai tha se do ta mbrojë parimin e shumicës brenda partisë, e cila është pajtuar për një platformë që përmban mbrojtjen e integritetit territorial, ruajtjen e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues.

“Unë jam i bindur që kompromiset politike kanë përfundu me Vjenën. Krejt këto që janë më vonë janë të vogla, janë të përballueshme dhe nuk e cenojnë tërësinë territoriale, as institucionin, as karakterin unitar të Kushtetutës dhe të Republikës”, tha Haziri. “Përkundër qëndrimit tim, unë jam i prirur me e mbrojtë parimin e shumicës dhe platforma e LDK-së është e qartë në këtë drejtim, të cilën unë e mbështes deri në fund”.

Haziri qëndron për shkëmbim të territoreve

I pyetur nëse qëndron ende personalisht për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Haziri pohoi pa hezitim: “Gjithmonë. Unë nuk besoj që ndryshe mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme.”

Këtë tha se ia ka thënë edhe lidershipit të partisë “tash e dhjetë vjet”.