Haziri: Presidenti është në tavolinën e bisedimeve me VV-në
Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke vazhduar bisedimet për të gjitha modalitetet e koalicionit qeverisës dhe se ndërmjet dy partive nuk ka marrëdhënie kushtëzimi.
Haziri thotë se të gjitha çështjet janë të hapura në tavolinën e bisedimeve, përfshirë edhe çështja e një presidenti konsensusal.
“Është në tavolinë ajo. Krejt janë duke u biseduar çështjet e hapura. Nuk mund të them se përjashtohet një bisedim ose u pranua. Është çështje që ka mbetur si modalitet në tavolinë”, ka thën Haziri, për REL.
Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që kishte sot me kryetarët e degëve të kësaj partie për bisedimet që po i zhvillojnë më Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, ka thënë se sa i përket postit të presidentit është çështje e mirëbesimit mes dy partive, dhe se LVV duhet t’ia besojë partisë së tij pozitën e presidentit.
“Çështja e presidentit mendojmë se është parimore, dhe është çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh më mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë dhe asnjëra të mos del super e fuqishme nga ky koalicion. Ne zgjedhjet për president nuk i kemi tani, dhe kur i vjen koha organet e LDK-së do ta bëjnë publik edhe emrin për president. Nëse ne kemi besim si LDK që ta votojmë z.Kurti për kryeministër, atëherë presim që një besim të tillë duhet ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së, por nuk dyshojmë për këtë”, ka thënë Mustafa.
Ndonëse të dy partitë kanë deklaruar se kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës, ndarja e disa dikastereve ende është duke u negociuar, ndërkohë që çështja më problematike mbetet pozita e presidentit të Kosovës.