Hashimi, personi i radhës që ftohet nga Gjykata Speciale
Rrahim Hashimi është ish-luftëtari i ‘Forcave Komando Delta’ të UÇK-së nga Brigada 138, i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.
Kjo u bë e ditur nga vet Hashimi i cili gjatë një konference për media tha se Gjykata Speciale e ka ftuar për tu intervistuar në Hagë më 9 prill, raporton Indeksonline.
“Pavarësisht votimit të padrejtë nga ana e deputetëve të parlamentit të Kosovës për ligjin e Dhomave të Veçanta, unë do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës, dhe si rrjedhojë do të respektoj ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës për aq kohë sa janë në fuqi këto ligje. Personalisht s’kam qenë i përfshirë në ndonjë krim dhe as që kam njohuri për ndonjë krim të kryer”, ka thënë Hashimi.
Ai tutje thotë se hipotetikisht mund të dyshohet për shkelje të disiplinës ushtarake apo tejkalim të autorizimeve ushtarake.
“Nuk jam intervistuar asnjë herë që nga lufta e deri më sot, madje ende s’jam i interveistuar ndonjë herë për ndonjë krim lufte apo të ngjashme. Avokat mbrojtës në këtë fazë nuk do të marrë sepse s’kam asnjë arsye të justifikoj veprimet e mia të luftës”, ka theksuar Hashimi. /