Haradinaj: Të largohen pengesat që po i bëhen Kosovës për t’u bërë shtet 100 për qind
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, gjatë ditës sotme ka bërë homazhe te lapidari i Mulla Nusret Hajdari dhe Mehmetali Shukri Behlul dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar këtyre dy dëshmorëve.
Haradinaj, mes tjerash, tha se duhet bërë gjithçka që të largohen pengesat po iu bëhen njëri-tjetrit në Kosovë për t’u bërë shtet 100 për qind, transmeton kp.
“Mos të harrojmë, se ne jemi përcaktuar të jemi shtet në mesin e të gjitha shteteve. Dëshmorët që i nderojmë, janë ata që i vënë themelet për këtë shtet. Për qëllimet që janë të mëdha ka dhe pengesa shumë. Një pjesë të pengesave ia bëjmë vetit dhe njëri-tjetrit. Nëse vazhdojmë t’i kalojmë këto pengesa, vazhdojmë të afrohemi nga një liri më e plotë, nga një shtet qind për qind shtet”, tha ai.
Edhe nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, shprehu fjalët më të mira për dëshmorët që kanë rënë për liri të Kosovës. Ndërsa, Mulla Jonuz Ramadani duke folur për dëshmorët, tha se veprimtaria e tyre ka qenë gjithmonë në shërbim të çlirimit të Kosovës.
Pjesë e këtij tubimi kishte dhe përfaqësues të tjerë, të cilët përkujtuan dhe çmuan veprën e këtyre dy dëshmorëve.