Lajme

Haradinaj-Stublla e quan ”këlysh të Rusisë” Aleksandër Vuçiqin: Po kërcënon rajonin me luftë të re

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur ”këlysh të Rusisë” presidentin serb, Aleksander Vuçiq, i cili bashkë me Moskën zyrtare po tentojnë ta minojnë stabilitetin dhe paqen në rajon.

Ky reagim i ministres kosovare vjen pasi Vuçiqi ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, përcjellë Klan Kosova.

”Pas nxitjes së luftimeve në Nagorno-Karabakh me armë të prodhuara në Serbi, Serbia në krye me Vuçiqin – Ministrin e Propagandës së Millosheviqit – tani po kërcënon të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATOn se do të vazhdojë forcimin ushtarak për t’u përgatitur për luftëra të reja në Ballkan!”.

”Politika dhe qasja e Serbisë nën rolin e “këlyshit të Rusisë” është qartazi kundër vlerave evropiane, dhe kundër politikave të NATOs për stabilitet dhe siguri në Ballkan.

Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në vitin 1999”.