Haradinaj: Serbia po thotë “nikada” për njohjen, ne themi “kurrë” për taksën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë edhe një herë se nuk e ka ndërmend ta tërheqë vendimin për taksën.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e pezullimit të këtij venimi, Haradinaj ka thënë se një gjë e tillë ndodhë vetëm nëse ka marrëveshje të gatshme për njohje nga Serbia.
“Me suspendu me afat kohor, nëse nënshkruhet marrëveshja për njohje. Jemi në gjendje me suspendu taksën nëse është bërë gati marrëveshja për njohje. Ata thonë ‘nikada’ (kurrë) nuk do ta njohim Kosovën, edhe ne po themi kurrë”, deklaroi Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se në fillim të tjerët, janë tallur me vendimin për taksën.
Haradinaj ka paralajmëruar gjithashtu se mund të ketë masa tjera ndaj Serbisë, nëse kjo e fundit vazhdon fushatën e ashpër kundër Kosovës.
“Nuk e kemi në plan njëherë mos me respektu letrën e presidentit Trump, duam me i dhanë një mundësi procesit. Nëse ata vazhdojnë, duhet me vlerësu ndonjëherë si me vepru më tutje”, deklaroi Haradinaj.
I pari i Qeverisë gjithashtu komentoi deklaratat e presidentit Thaçi, se liberalizimi i vizave mund të ndodhë më muajin qershor.
Haradinaj u shpreh se ky afat është i duhuri, por tha se përsëri nuk dëshiron të jap data.
“Dikund qershori është opsion për viza, por jemi marrë vesh që mos me fol shumë dhe me kry punë. Është reale muaji qershor”, deklaroi Ramush Haradinaj.