Bota

Dëshmitari jep dëshmi rrëqethëse për keqtrajtimet që “El Chapo” ua bënte rivalëve

Një ish-truprojë e trafikuesit të madh të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, ka thënë në një seancë gjyqësore në Nju Jork se ish-shefi i tij i ka torturuar dhe i ka vrarë personalisht rivalët e tij të biznesit të drogës.

Në njërën nga dëshmitë më të frikshme që janë dhënë deri tash në këtë proces gjyqësor, Isaias Valdez Rios ka hënë se e ka parë “El Chapon” duke i rrahur brutalisht dhe duke i vrarë tre burra. Në anën tjetër, Guzman i ka mohuar akuzat për trafikim dhe pastrim të parave. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Ish-shefi i kartelit “Sinaloa” ishte arrestuar në vitin 2016 pasi ishte arratisur më parë nga burgu. Ai ishte arratisur nga një burg në Meksikë përmes një tuneli dhe ishte ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.

Dëshmitari ka thënë se “El Chapo” ua thente eshtrat rivalëve dhe ata nuk mund të lëviznin. Sidoqoftë, sipas tij, i akuzuari vazhdonte t’i godiste me armë dhe mjete tjera. Më pas ata ishin dërguar në një vend tjetër, ku ishin qëlluar në kokë. Sikur kjo të mos mjaftonte, trupat e tyre ishin hedhur në turrën e druve për t’u djegur në mënyrë që të zhduken të gjitha dëshmitë.

Një burrë tjetër ishte djegur në trup me një hekur dhe ishte mbajtur i lidhur për ditë të tëra. Më pas, ai ishte futur në një gropë dhe në atë gjendje ishte marrë në pyetje nga “El Chapo”. Përderisa i lidhuri po përgjigjej, “El Chapo” e kishte qëlluar me armë. Viktima ende nuk kishte ndërruar jetë, por ishte varrosur i gjallë, shkruan “BBC”, transmeton Ministria e Lajmeve.