Lajme

Haradinaj: Albin Kurtit nuk do t’i zgjasë qeverisja më shumë se një vit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimet e Qeverisë Kurti duke thënë se puna më e lehtë është të shkarkosh disa borde dhe se nuk i konsideron veprime me peshë.

Ai ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se Albin Kurti është mashtrues dhe ka kërkuar nga ai që mos të marrë vendim për heqjen e takës, ngase sipas tij në këtë mënyrë Serbia do të kthehej në Kosovë.

Haradinaj po ashtu ka paralajmëruar veprime në rast se Kurti vendos për heqjen e taksës. Ai ka thënë se tashmë ka biseduar edhe me partitë e tjera opozitare dhe se Kurtit nuk do t’i zgjasë pushteti më shumë se një vit.

” Ju siguroj Albinit se është në rrugë të gabuar, Vjosa është në rrugë të gabuar. Mos të marrin vendime që mund të kenë pasoja. Të kthehet Kosova prapa dhe pushtimin e Serbisë, kjo nuk e di si do të tolerohet pa ndonjë kundërvlerë. Kam kërkesa prej partive opozitare për qëndrime të përbashkëta. Një qeveri që shkon kësaj rruge duhet me ia ndalë jetëgjatësinë. Ne jemi të detyruar të krijojmë pozicion bllok nëse vazhdojnë në këtë mënyrë”, u shpreh Haradinaj në Zonën e Debatit.
Haradinaj shtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje ka dalë më mirë se herëve të kaluara dhe për këtë nuk sheh regres në suksesin e saj.

AAK ka 30 mijë vota më shumë se në zgjedhjet tjera. Tani kemi 13 deputetë dhe ky është rezultati i AAK-së. Po ashtu mund të them se AAK nuk është votuar vetëm për temën e taksës. Por nuk mund të themi se kjo temë ka qenë me rëndësi për Vetëvendosjen dhe LDK-në. Ata fituan duke kritikuar keqqeverisjen tonë dhe problemet sociale, si dhe duke flirtuar me krejt rrymat e mundshme. Por të thuhet se e fituan votën me argumentin e reciprocitetit, kjo s’është e vërtetë. Këtë temë e kanë pasë periferike”.