Lajme

Hapet shkolla shqipe në New York “Alba Life”

Në Bronks të New York-ut në Shtete të Bashkuara të Amerikës u hap shkolla shqipe “Alba Life”.

Themeluesit e kësaj shkolle janë: Qemal dhe Kozeta Zylo, të cilët vite me radhë kishin punuar dhe kontribuar në promovimin e vlerave shqiptare, derisa kërkesat për mësim në gjuhën shqipe rriteshin brenda dite në rajonin e Bronksit.

Familja Zylo u bë ideatore për hapjen e kësaj shkolle, si një qendër e kultivimit të vlerave shqiptare, duke mundësuar integrimin e të vegjlëve shqiptarë në kulturën vendëse, ndonëse nga larg.

Në ditën kur kjo shkollë bëri promovimin e saj, kishte mysafirë të shumtë, e një ndër pjesëmarrësit ishte edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Uashington, Floreta Luli-Faber, e cila me prezencën e saj e afirmoi qëndrimin e saj pranues për këtë iniciativë të duhur.

Në mesin e stafit të kësaj shkolle shqipe është edhe Mirvete Krasniqi-Veselaj, e cila muaj më parë kishte emigruar nga Kosova në Amerikë dhe tani është pjesë e stafit të kësaj shkolle, në cilësinë e mësimdhënëses, profesion të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në shkollën fillore të mesme të ulët “28 Nëntori” në Raushiq të Pejës.

Mësimdhënësja Mirvete Krasniqi-Veselaj u shpreh tejet falënderuese, duke shpalosur planet e saj për “shtëpinë e dytë” tashmë, e cila me përvojat e saj paraprake në këtë fushë premton shumë për fëmijët që e kanë fatin të jenë nxënës në këtë shkollë.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj shkolle. Ardhja ime në një vend kaq të largët më bëri skeptike për të ardhmen, por rezultati dhe vlerësimi nga ana e themeluesve të kësaj shkolle më ka mahnitur. Të jem pjesë e një kuadri kaq të përgatitur është fakt që më gëzon tej mase. Shpresoj që kontributi im të nxjerrë breza të edukuar mirë. Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që ishin mbështetës të denjë për ta gëzuar sot këtë titull”, tha ajo.

“Alba Life” hapjen e saj solemne e bëri më datë 21 shtator, pikërisht në muajin kur në çdo vend shënohet fillimi i vitit të ri shkollor.

Kjo shkollë premton shumë dhe pret nxënës të rinj, duke u siguruar atyre një staf me përgatitje të mëdha.

Stafi përbehët nga themeluesit Kozeta dhe Qemal Zylo, bashkëpunëtorët Blerim Gjocaj, Arta Xhaferri dhe Majlinda Tafaj dhe mësimdhënëset Mirvete Krasniqi-Veselaj nga Peja dhe Elda Gjongeci nga Tropoja.