Lajme

Hapet konkursi për pranimin e policëve në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për konkursin për pranimin e policëve nga minoritetet në katër komunat veriore të vendit.

Sipas njoftimit të Policisë, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë nga data 5 janar [e enjte] deri më 26 janar. Aplikimi bëhet në formë fizike.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat nga minoritetet në Kosovë.

KËTU mund të aplikoni

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e vetura me targa serbe, në ato RKS.

Që nga ajo kohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar më herët serbët e Kosovës, veçanërisht ata që nuk ka pasur shansin të punojnë në institucione, të aplikojnë në këtë konkurs.

Aleatët ndërkombëtarë kanë kërkuar kthimin e serbëve në institucione e Kosovës.