Haliti: Serbia po kryen spastrim etnik në Luginë të Preshevës, me metoda administrative
Kandidat i Listës së “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës”, Shpëtim Haliti ka dhënë një intervistë për gazetën “Bota sot”, ku ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Kosovën Lindore praktikisht është spastrim etnik me metoda administrative.
Po ashtu, ai ka përmendur së në këto zgjedhje politikanët shqiptarë po kandidojnë me dy lista, por sipas tij, kjo nuk është në favorin e shqiptarëve, pasi në këtë mënyrë do të sigurohet numri më i vogël i ulëseve në Kuvend.
“Bota sot” – Si e shihi gjendjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore?
Shpëtim Haliti: Gjendja e Shqiptarëve në osovën Lindore realisht lë shumë për të dëshiruar pasi që jetojmë në shtetin më diskriminues në rajon. Aty ku na mohohet gati gjithçka, që nga përdorimi i simboleve kombëtare, librat në gjuhën shqipe, mosnjohja e diplomave të studenteve që i kryejnë studimet në Republikën e Kosovës, pasivizimi i adresave e shumë problemeve tjera që ne nuk kemi fuqinë institucionale për t`i zgjidhur e fatkeqësisht nuk kemi as mbështetje të fortë politike nga shtetet, amë Kosova e Shqipëria.
“Bota sot” – Si e keni pritur kandidaturën nga partia juaj?
Haliti: Një privilegj shumë të madh në fakt. I jam shumë falënderues çdo anëtarit të partisë që ka mbështetur kandidaturën time dhe më kanë vlerësuar për të qenë Kandidat i mundshëm për deputet në Listën ku bartës i saj është përfaqësuesi më dinjitoz i Shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë i dëshmuar mandatin e fundit me performancat e tij z. Shaip Kamberi.
“Bota sot” – Cilat do të jenë prioritetet tuaja si kandidat për deputet?
Haliti: Prioritetet tona si listë parlamentare e po ashtu edhe të mijat personale janë kërkesat legjitime e themelore të shqiptarëve, sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar, zbatimi i planit 7 pikësh që është i miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013 e që janë masa emergjente për integrimin e shqiptarëve në institucionet qendrore sipas përqindjes së popullsisë në komunat që jetojmë. Kthimi i gjykatës, kthimi administratës tatimore, përdorimi i librave shqip dhe i simboleve kombëtare.
“Bota sot” – Lista e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës”, a është kjo mënyra më e mirë për t`i përfaqësuar shqiptarët e Kosovës Lindore? Sa ulëse pritni t`i fitoni në Kuvendin e Serbisë?
Haliti: Mund të ishte edhe më mirë nëse i gjithë spektri politik i shqiptarëve do të ishte në një listë të përbashkët dhe unik, dhe jo të krijohej edhe një listë e dytë shqiptare e që kjo po ndodhë për herë të parë në luginë. PVD e ka nisur këtë proces që nga viti 1990, pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në mënyrë institucionale. Kemi vazhduar me këtë rezistencë ndaj shtetit më autoritar në Ballkan, tash e 32 vite me shumë sakrifica e vështirësi, gjithashtu jemi përballur me bojkotin dhe kundërshtimin e vazhdueshëm të disa partive shqiptare të këtij procesi. Por, tash në zgjedhjet e 3 prillit kemi një listë që kërkojnë të jenë pragmatik, siç thonë ata me Beogradin, e mos ta kundërshtojmë dhe mos ta akuzojmë më për padrejtësitë dhe diskriminimin që na bëhet çdo dit. Andaj, na është krijuar kjo ndarje e që rrjedhimisht kemi dy lista shqiptare sepse ndryshojnë konceptet tona politike, e kjo nuk është në favorin tonë, që të gjithë bashkë mund t`i siguronim 5 apo më shumë deputet, ndërsa me lista të ndara është e vështirë të shpresojmë për këtë numër përfaqësuesish.
“Bota sot” – Sa ka ndryshuar viteve të fundit gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore?
Haliti: Fatkeqësisht gjendja për shqiptarët nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm me gjendjen e para luftës së Kosovës. Shqiptarët këtu hasin çdo dit nga një sfidë. Politika lokale nuk ka gjithçka në dorë, ndërsa ajo Qendrore është diskriminuese e autokrate sidomos ndaj shqiptarëve. Në parlament ne jemi në opozitë ku rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike që posedojmë, do vazhdojmë përsëri edhe pse rezultatet nuk janë askund krahas kërkesave tona. Por, ne besojmë që nuk duhet të ndalemi duke vepruar politikisht me të gjitha vështirësitë që hasim, deri në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për ta detyruar Serbinë që të drejtat tona t`i respektoj e të na japi ato që na takojnë.
“Bota sot” – Si e komentoni pasivizimin e adresave të shqiptarëve?
Haliti: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve praktikisht është spastrim etnik me metoda administrative. Përderisa Shqiptarët posedojnë shtetësi serbe, janë pronarë legal të pronave të tyre, shumica kanë dhe stazh pensional apo edhe janë pensionist që marrin pensione në Serbi, atyre i pasivizohet adresa vetëm se përkohësisht jetojnë në Kosovë apo diasporë, e njëkohësisht nuk ndodh e njëjta gjë me serbët që jetojnë jashtë Serbisë.
“Bota sot” – A duhet të diskutohet çështja e shqiptarëve të Kosovës lindore në dialogun Kosovë- Serbi?
Haliti: Në fakt shpresa më e madhe e të gjithë shqiptarëve të Kosovës Lindore momentalisht është që të jemi pjesë e diskutimit në bisedimet Kosovë-Serbi e mundësisht edhe të kemi përfaqësues në delegacion.
“Bota sot” – A duhet Presheva, Bujanovaci dhe Medvegja t’u bashkohen Kosovës?
Haliti: Patjetër. Kjo është Dëshira shekullore e të gjithë shqiptarëve të kësaj ane. Gjithashtu dhe jetësimi dhe vullneti pçopullor i shprehur me votë plebishitare në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, e po ashtu edhe Amaneti i dëshmorëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).