Gruevski jep një mesazh nga arratia: “Do të rikthehem”
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të përurojë autostradën Shkup-Shtip, që llogaritet si një ndër arteriet kryesore të Maqedonisë Lindore. Ish-Kryeministri, Nikola Gruevski, përmes Facebookut ka thënë se kjo autostradë është ndërtuar në kohën e VMRO-DPMNE-së, duke i dërguar mesazh qeverisë aktuale që ta mirëmbajnë, pasi, siç thotë – “ai do të kthehet”.
Gruevski shkruan se i gëzohet përfundimit të arteries kryesore për Maqedoninë Lindore dhe se 85% deri 90% është ndërtuar kur VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet. Ai thotë se një meritë të madhe për ndërtimin e kësaj autostrade ka edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, për të cilin janë ngritur procedura për shpërdorim të detyrës.
“Le të jetë me fat autostrada Shkup-Shtip. Këta hajdutët e pushtetit, le të përpiqen së paku ta mirëmbajnë siç duhet. Të mos jetë e shkatërruar kur të kthehem! Përshëndetje nga Budapesti” – ka shkruar ish-Kryeministri Gruevski në rrjetin social Facebook.