Greqia shpreson se nuk do të ketë konflikt me Turqinë, thotë se përplasja e anijeve ishte aksident
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, tha të premten se shpresonte që të gjitha palët e përfshira në një mosmarrëveshje në Detin Mesdhe do të veprojnë sipas ligjit ndërkombëtar dhe se nuk do të ketë asnjë konflikt.
“Gjithçka mund të zgjidhet, por kjo është një pyetje që duhet t’i bësh turqve”, tha Dendias, pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me të cilin ka diskutuar për tensionet e fundit në rajon.
Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë që Pompeo dhe Dendias diskutuan “nevojën urgjente për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor” por pa dhënë më shumë detaje.
Takimi vjen në ditën kur u raportua se luftanijet turke dhe greke ishin përfshirë në një përplasje të vogël të mërkurën, raporton Reuters.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë se Turqia do të hakmerret kundër çdo sulmi ndaj anijes së saj.
Tensionet janë rritur këtë javë pasi Turqia dërgoi një anije në rajon, të shoqëruar nga anije luftarake, për të kërkuar naftë dhe gaz në një zone, për të cilën të dyja vendet thonë se është në juridiksionin e tyre.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, tashmë kanë vendosur sanksione ndaj dy drejtuesve turq të energjisë për operacionet e Turqisë në Mesdheun lindor.
“Bashkimi Evropian duhet të rivlerësojë marrëdhëniet e tij me Turqinë”, tha të premten ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.
“Më duhet të them se Austria është shumë e shqetësuar për situatën e rrezikshme dhe alarmante për të cilën ne besojmë se mund të përshkallëzohet”, tha Schallenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.