Shqipëri

Grabitje dhe vrasje,ky është shqiptari që ra në prangat e policisë malteze

Daniel Muka, një i ri shqiptar është arrestuar nga policia e Maltës si personi i lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në qytetin turistik Sliema, ku gjetën vdekjen Chris Pandolfino dhe Ivor Maciejoëski.

Daniel Muka me kombësi shqiptare u arrestua të martën pasi policia kontrolloi një apartament të braktisur në Floriana, sikurse bën me dije Malta Today.

Sipas mediave, arrestimi i shqiptarit vjen disa ditë pasi makina e përdorur nga vrasësit e Chris Pandolfino dhe Ivor Maciejowski u gjet në një parkim pranë spitalit “St Luke”. Brenda mjetit ishin gjetur edhe pajisje që bllokonin sinjalin e rasdios dhe telefonit si dhe objekte të tjera që tregonin se vrasja ishte kryer nga profesionistë.

Por, kush është Muka dhe lidhja e tij me krimin?

Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me ligjin. Muka u akuzua në vitin 2017 për vrasjen në tentativë të tre oficerëve të policisë që shkuan për ta arrestuar duke u shkaktuar atyre plagë të lehta.

Incidenti ndodhi kur policët shkuan ta arrestojnë për pjesëmarrje në një grabitje të ndodhur në një dyqan bizhuterish.

Gjatë arrestimit në St George’s Bay, Muka nxori një armë zjarri, e drejtoi atë te oficerët dhe u përpoq të qëllonte, por shkrepja u bllokua. Vëllai i Danielit, Begtash Muka, ishte përfshirë gjithashtu në grabitje, pasi policia e kishte gjurmuar atë përmes analizave të ADN-së.

Të dy kishin arritur të shpëtonin me një sasi të papërcaktuar të bizhuve, pasi hynë në dyqan të armatosur si dhe me maska dhe paruke.

Oficeri i sigurimit, një italian që ishte i punësuar nga G4S për disa vite dhe mbikëqyrësi në vend, u sulmua nga një prej grabitësve, i cili e goditi në kokë me qytën e armës. Muka u akuzua për vrasjen në tentativë të oficerëve të policisë në tetor 2017 dhe u përball me akuza për grabitje, disa javë më vonë.

Gjithashtu, ai akuzohet si një nga dy personat që kanë lidhje me vjedhjen e rreth 300 mijë eurove, shkruajnë mediat malteze.

Vëllai i tij Begtash Muka ishte akuzuar gjithashtu për mbajtje të armëve, ndërsa përpiqej të kalonte gardhin rrethues në Aeroportin Ndërkombëtar të Maltës.

Kur pa që ushtarët po afroheshin, Begtash Muka u largua me vrap në drejtim të kazermave ushtarake, duke nxjerrë një pistoletë./Opinion.al