Grabitja në Rinas, mësohet emri i një prej grabitësve
Klement Çala mësohet të jetë një nga autorët e dyshuar në super grabitjen e 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit, ku u vodhën miliona euro.
Burime për A2 CNN konfirmojnë se grupi hetimor ka arritur të identifikojë dy nga autorët e kësaj grabitje. Në këtë ngjarje, mbeti i vrarë Admir Murataj, ndërsa katër personat e tjerë u larguan bashkë me shumën e eurove.
Prokurorët e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për të vendosur para drejtësisë autorët e grabitjes.
Paraditen e sotme Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, drejtorin e policisë kriminale, Tonin Vocaj, drejtor i policisë kufitare, Eduart Merkaj dhe disa drejtor qarqesh në ambientet e ministrisë me vartësit e tij.
Mësohet se gjatë takimit u diskutua për grabitjen e Rinasit, si dhe analizimi i informacioneve të mbërritura nga partnerët, për disa grupe kriminale. Takimi i sotëm vjen pas atij te djeshmit ne qytetin bregdetar të Vlorës.