Gjykata e Lartë në Beograd i jep të drejtë Vulinit që përdori gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve
Gjykata e Lartë në Beograd i ka dhënë të drejtë ministrit serb, Aleksander Vulin, i cili përdori gjuhë fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke ju drejtuar atyre me “šiptari”.
Për këtë ka njoftuar deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi. Ai ka thënë se gjykata ka refuzuar ta shpallë fajtor Vulinin, i cili vazhdimisht përdor këtë terminologji fyese për shqiptarët.
“GJYKATA SERBE I JEP TË DREJTË FYERJES INSTITUCIONALE NDAJ SHQIPTARËVE!TË REAGOJNË BE, SHBA DHE VENDET E RAJONIT, NDAJ KËTIJ PRECENDETI TË RREZIKSHËM PËR MINORITETET NË BALLKAN. Sot, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci””, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se gjykata i ka dhënë fuqi juridike institucionalizmit të kësaj gjuhe fyese e përçmuese në Serbi, ndërsa ka theksuar se “kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit”. Kamberi ka thënë se vetë ka filluar të ndërmarrë veprime institucionale për këtë
“Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti. Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit!Në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, unë kam filluar ndërmarrjen e veprimeve institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Kamberi i ka ftuar autoritetet ndërkombëtare që të reagojnë për këtë.
“Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kamberi.