Gjuriqi thotë se s’ka lidhje “a e bën qeverinë Kurti a Murti” – të gjithë janë separatistë
Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, tha se figurat kryesore politike në Kosovë nuk janë të bashkuar siç ishin më parë.
Ai tha se nuk i vjen mirë që ka mospajtime mes partive politike shqiptare në Kosovë sepse, siç deklaroi ai, këto mospajtime po reflektojnë edhe tek serbët.
Në një bisedë për televizionin serb “Pink”, Gjuriqi tha se është me rëndësi që serbët të mblidhen rreth bllokut të vetëm monolit që është Lista Serbe.
“Se a do ta formojë qeverinë Kurti a Murti, kjo është e parëndësishme sepse të gjithë janë separatistë”, tha Gjuriqi, transmeton Koha.net.
Sipas tij, faktin se shqiptarët më nuk janë të bashkuar e tregojnë edhe shifrat e lindjeve të bebeve: më 2001 në Kosovë lindën 60 mijë bebe, më 2014 32 mijë ndërsa më 2018 lindën 22 mijë bebe.
Tha se i vjen keq që jo të gjithë serbët i janë bashkuar Listës Serbe.
Duke folur për djegien e veturës së anëtarit të presidencës së Listës Serbe, Slavko Simiq, Gjuriqi tha se ky është një lloj “terrorizmi e sulmi” me qëllim që të frikësojnë Simiqin i cili është “një nga njerëzit më energjetikë në institucionet e Kosovës”.
“Nuk do të flas paraprakisht për përgjegjësit, por është me rëndësi që të merret vesh sa më shpejt se kush qëndron prapa djegies së veturës së tij”, tha Gjuriqi.