Gjukanoviqi BE-së: Mos ua dorëzoni Ballkanin Rusisë dhe Kinës
Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, i cili ka sfiduar Rusinë që po mundohej të frenonte anëtarësimin e shtetit të vogël në NATO, ka paralajmëruar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është qenësor për bllokun për ta mbrojtur veten nga ndikimi politik dhe ekonomik në ngritje i Rusisë dhe Kinës në rajon.
Milo Gjukanoviq ka thënë për agjencinë e lajmeve, AP, se dalja kaotike e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe krizat e tjera në bllok duket se kanë davaritur entuziazmit e bllokut për të pranuar anëtarë të rinj, por se Evropa duhet të mos ua dorëzojë rajonin strategjik aktorëve të tjerë globalë, transmeton “Koha Ditore”.
Gjukanoviqi ka thënë se Rusia dhe Kina kanë interesa legjitime në Ballkan, ku ndikimi rus është në ngritje, posaçërisht në Serbi. Kina, njëherësh, ka shpenzuar shumë për investime në infrastrukturë që të ketë prani më të madhe në Evropën Qendrore dhe në Evropën Lindore.
“Por çështja nuk është nëse Rusia, Kina ose një shtet i tretë kanë interesa në Ballkan. Çështja është pse Evropa po e dorëzon rajonin në dorë të dikujt tjetër”, ka thënë Gjukanoviq. “Mendoj se ky është interesi kryesor i Evropës”.