Gjimshiti nuk frikësohet nga koronavirusi
Gjimshiti luan për Atalantan në Serie A, ndërsa në një intervistë për “Blick.ch” ka treguar se si po i kalon ditët në pjesën veriore të Italisë, të prekur nga koronavirusi.
“Deri më tani çdo gjë ka qenë si zakonisht, pos që janë anuluar disa ndeshje. Nuk kemi pasur stërvitje të hënën, por të martën të gjithë kthehemi në fushë. Të paktën kështu është plani”, ka thënë Gjimshiti që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në futboll. Ai shpreson që fundjavën e ardhshme do të ketë ndeshje në Itali.
“Në Bergamo nuk kemi ndonjë udhëzim ende. Ende mund të lëvizim lirshëm. Unë pak kohë më parë u ktheva nga qyteti. Shitoret dhe lokalet tjera janë ende të hapura. Por ka më pak njerëz se zakonisht në rrugë”, ka theksuar Gjimshiti.
Është raportuar për gjashtë të vdekur dhe mbi 200 të infektuar nga koronavirusi në Itali. Shumica e rasteve janë raportuar në Lombardi.
Ndeshja që Atalanta është dashur ta luajë në fundjavë ndaj Sassuolos është shtyrë. Janë shtyrë edhe ndeshje tjera të Serie A për shkak të koronavirusit.
“Natyrisht që shpresoj se virusi do të ndalet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe që nuk do të ketë viktima tjera. Por unë personalisht nuk jam i frikësuar nga virusi. Mendoj se ka sëmundje tjera më të mëdha në botë. Gjithsesi, nuk do të ftojë familjen dhe shokët e mi në Bergamo”, ka thënë Gjimshiti.
Ai ka treguar se për koronavirusin flasin të gjithë lojtarët në Itali.
“Disa janë më shumë të frikësuar e disa jo”, ka thënë ai.