Lajme

Gjermania konsiderohet lokomotiva ekonomike e Evropës

Duket se rimëkëmbja e Gjermanisë edhe në kushtet e pandemisë së Coronës ngre pyetje të vjetra rreth ekonomisë evropiane.

Duhet theksuar se ekonomia gjermane kishte nisur të sforcohej përpara pandemisë por përgjigjja që i dha vendi tregon se ajo po ecën përpara më shumë se pjesa tjetër. Kjo ngre pikëpyetje në lidhje me një ekonomi evropiane me dy shpejtësi.

Kujtojmë se në vitin 1947, dy vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ekonomia evropiane ishte në telashe serioze. “Ne jemi të kërcënuar nga një katastrofë totale ekonomike dhe financiare” – tha ministri francez i Ekonomisë Andre Philip, në prill të atij viti.

Ndër shume probleme, më i madhi ishte Gjermania. Dy vite pasi nazistët u mundën, rimëkëmbja e Gjermanisë kishte qenë e dukshme në shumë mënyra – por ekonomikisht mbeti një shportë e shpuar dhe Europa kuptoi që duhej të rivinte në lëvizje motorin e saj. Pjesërisht, plani Marshall kishte si qëllim të rikthente ekonominë gjermane në zemër të Europës.

Nga fillimi i viteve 1950 ekonomia europiane u fut në një fazë bumi, me Gjermaninë që ishte në shkëlqimin e saj. Dy dekadat që pasuan ishin ndër më të begatshmet në histori.

Viti 2020

Në vitin 2020, ekonomia evropiane e gjen veten në një moment të rëndësishëm historik dhe potencialisht të rrezikshëm. Pandemia është në zhvillim e sipër dhe rimëkëmbja ekonomike – nëse mund t’a quajmë kështu – nga goditja e rëndë e gjashtë muajve të parë të vitit, është me hope.

Megjithatë tashmë është e qartë se ekonomia gjermane po përparon shumë herë më mirë se ekuivalentët e saj më të afërt evropianë si Franca, Britania, Italia dhe Spanja. Rënia e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë tremujorit të karantinës ishte thelbësisht më e ulët se e këtyre vendeve, ndërkohë që rimëkëmbja për tremujorin e tretë të vitit parashikohet të jetë shumë më e mirë.

Pse ekonomia e Gjermanisë po ecën më mirë se ajo e fqinjëve të saj europiane – dhe a do të jetë kjo një ndihmë apo pengesë për ekonominë europiane që të shkojë përpara?

Ndihma erdhi nga “Bazooka”

Sipas Lars Feld, kryetari i Këshillit Gjerman të Ekspertëve të Ekonomisë, situata ekonomike pozitive e Gjermanisë kryesohet nga fakti se mbyllja nuk ishte kurrësesi aq strikte sa në vendet e tjera të Europës. “Pavarësisht masave të marra gjatë mbylljes, një ndërprerje e zinxhirit apo konsumi më i ulët privat si pasojë e pasigurisë të konsiderueshme, ekonomia e Gjermanisë vijoi me një pjesë të mirë të aktivitetit të saj. Për shembull industria e ndërtimit pati kufizime shumë të pakta” – i tha ai DW.

Një tjetër ndihmesë madhore është mbështetja masive financiare që qeveria gjermane siguroi për bizneset dhe qytetarët, diçka që ishte në gjendje ta bënte pas shumë vitesh kursime përsa i përket buxhetit të saj.

“Bazooka”, siç e quajti në muajin mars ministri gjerman i Financave Olaf Scholz, arriti në afro 1 trilion euro (1.16 trilion dollarë) ndihma ku përfshihet gjithçka, nga kreditë e mbështetura nga shteti e deri tek skema shumë e admiruar e vendimit për punë me orar të kufizuar.

“Ekonomia gjermane ka pasur shumë më tepër rezerva se vendet e tjera të Europës, qoftë në lidhje me hapësirën fiskale për shkak të konsolidimit të suksesshëm të financave publike në të shkuarën apo në lidhje me firmat private, të cilat kanë një bazë të shëndoshë të kapitalit në përgjithësi” – thotë Feld.