Gjermania i kërkon Kosovës ta shtyjë vendimin për ndalimin e dinarit
Qeveria e Gjermanisë ka kërkuar nga Kosova të shtyjë planet që ta imponojë euron si të vetmen valutë, pas vendimit të Bankës Qendrore, që pamundëson dinarin serb si valutë për pagesa në veri, siç ka ndodhur deri tash.
Vendimi hyn në fuqi më 1 shkurt. Serbët janë ankuar se ky vendim kërcënon pagesat që u bëhen serbëve të Kosovës nga Serbia.
“Ne fuqishëm i apelojmë Kosovës të shtyjë hyrjen në fuqi të vendimit, deri të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, ka thënë Christiane Hoffman, zëdhënëse e Qeverisë, për gazetarët të premten. Përderisa e ka cilësuar vendimin sovran, Hoffman ka thënë se kjo mund të jetë “lëvizje e rëndësishme me pasoja të gjera” që kërkon më shumë kohë e përgatitje.
Më herët gjatë muajit, BQK-ja njoftoi me rregulloren e re “valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.
Serbët në veri të Kosovës kryejnë pagesa me dinarë. Serbia çon miliona euro çdo vit për serbët në veri.
Siç shkruan “bloomberg”, Edhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr vërejtje kundër ndryshimeve të papritura teksa po përpiqen të arrijnë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, ka thënë se “Kosova duhet të jetë në gjendje të kontrollojë monedhën në vend – nuk ka diskutim”. Por ai ka theksuar se “dialogu me Serbinë është në gjendje të vështirë dhe Qeveria e Kosovës duhet të përpiqet që serbët e Kosovës ta shohin veten sa më të integruar”.