Gjermania, Franca e Spanja nënshkruajnë marrëveshjen për avionin luftarak evropian
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen e përshkroi nënshkrimin si një “ditë të madhe për bashkimin evropian të mbrojtjes”. “Sistemi i Ardhshëm i Luftimit në Ajër” do të vihet në punë nga viti 2040.
Gjermania, Franca dhe Spanja nënshkruan të hënën një marrëveshje për një avion luftarak evropian të brezit të ardhshëm. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Mbrojtjes të secilit vend, me praninë e Presidentit francez Emmanuel Macron në spektaklin Paris Air Show në Le Bourget, në veri të kryeqytetit francez.
Marrëveshja përmban gjithashtu një sistem kundërajror të përbashkët, që mund të kontrollojë edhe dronët e satelitët. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e quajti një “ditë të madhe për bashkimin evropian të mbrojtjes”.
Sistemi i ardhshëm i luftimit në ajër (Future Combat Air Sistem (FCAS)) pritet të vihet në funksion brenda më pak se 20 vjetësh, konfirmoi von der Leyen: “Sistemi do të jetë gati deri në vitin 2040 dhe deri atëherë duhet të kemi gjetur një zgjidhje të përbashkët evropiane”.
Faktori i shpenzimeve
Homologët francezë dhe spanjollë të Von der Leyen-it, Florence Parly dhe Margarita Robles, e nënshkruan marrëveshjen për të zhvilluar FCAS me një model të avionëve në sfond. “Ky projekt tani ka një dimension vendosmërisht evropian: Spanja u bashkua zyrtarisht me programin këtë mëngjes,” tha Parly. Deri tani, me programin nuk është bashkuar asnjë vend tjetër, megjithë inkurajimin nga zyra e Macronit.
Qeveritë franceze dhe gjermane llogarisin se do të investojnë në avionin luftarak deri në vitin 2025, fillimisht 4 miliardë euro (4.5 miliardë $). Partia e Majta, parti opozitare në Gjermani i kritikoi planet. Nënkryetarja e kësaj partie përfaqësuese në Bundestag, Sevim Dagdelen, e quajti marrëveshjen një “licensë për të shtypur para” për prodhuesit e armëve.
Reduktim i varësisë
Avionët luftarakë mund të përfshijnë edhe teknologji hibride elektrike, që do të thotë, se avioni do të dëgjohet më pak në fluturim, duke reduktuar prodhimin e nxehtësisë prej tij. Kjo do të thotë se ai do të jetë më i vështirë për t’u zbuluar. Avioni i ri do të zëvendësojë brezin e tanishëm të avionëve Rafale dhe Eurofighter.
Marrëveshja nënshkruhet në një kohë solidariteti të brishtë ushtarak midis Evropës dhe SHBA. Presidenti Donald Trump i tronditi zyrtarët gjermanë javën e kaluar me njoftimin se SHBA do të dërgojë një numër prej 1.000 ushtarësh në Poloni. Trumpi tha se e dinte se nga ku do të vinin forcat: pikërisht nga Gjermania.
Me këtë ai shkaktoi reagime të përziera në Berlin. Ende nuk ka detaje, a është ky thjesht një ngacmim i radhës i presidentit amerikan ndaj Gjermanisë, apo do të bëhet realitet. Departamenti amerikan i mbrojtjes i tha DW se nuk është marrë ende vendimi, se prej nga, do të zhvendosen trupat amerikane drejt Polonisë.
Amerikanët do të ngrenë në Poloni edhe disa baza të vogla logjistike dhe depo për armë të rënda. Ato në rast nevoje do të lehtësonin zhvendosjen e trupave atje.Vëzhguesit tërhoqën vëmendjen se këtë fitore simbolike, Polonia e paguan shtrenjtë, me para. Në kuadër të marrëveshjes, Polonia do të blejë nga SHBA 32 avionë supermodernë gjuajtës F-35. Veç kësaj, Polonia do të blejë çdo vit, për tetë miliardë dollarë, gaz të lëngshëm në SHBA./DW