Lajme

Gashi: Pa tërheqjen e Projektligjit për Zgjedhje, s’marrim pjesë në seancën për presidentin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Qeveria nuk e ka tërheq projektligjin për Zgjedhje, ashtu siç ka deklaruar.

Gashi ka thënë se mbetet kërkesë e tyre që ky projektligj të tërhiqet.

“Siç e dini kemi bërë kërkesë eksplicite nga LVV e cila ka marrë një veprim si kërcënim dhe shantazh ndaj opozitës. Ne kemi kërkuar nga Kurti dhe kuvendi ta tërheqë projektligjin që ka propozuar dhe Kurti nuk e ka tërheq. Jemi në të njëjtën situatë. Kemi një situatë të tentimit të përmbytjes së rendit kushtetues, ndryshim i rregullave të lojës”, tha ai.

Gashi tha se janë për përfshirjen e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve që kanë dal.

“Ne kemi vërejtje se kanë një ndërhyrje në listën nënshkruese që kanë nënshkruar për thirrjen e seancës për njërin kandidat. Ne si LDK presim që të tërhiqet projektligji të kemi reformë substanciale, sepse nuk ka emergjencë”, shtoi ai.

“Pa e zgjidh këtë problem ne nuk marrim pjesë në seancë. Kërkojmë që të kemi proces transparent. Të ketë gjithpërfshirje, partia në pushtet kërkon t’i bëjë rregullat për vete. Sjellja e mbrëmshme ka qenë e papranueshme  e pakuptushme”, ka thënë Gashi.

“Në jemi që të mundësohet votimi nëpër ambasada, por nuk jemi që në mënyrë arbitrare në ora 21:00 të caktohet që ditën e nesërme në mënyrë të imponuar të kryhet projektligji për zgjedhjet e përgjithshme”.

“Duhet automatikisht të tërhiqet nga propozuesi ky projektligj”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/