Fyeu Erdgoanin, 11 muaj e 20 ditë burg për këngëtaren dhe aktoren turke
Gjykata Supreme e Apelit në Turqi ka miratuar ditën e djeshme dënimin me 11 muaj e 20 ditë burg për këngëtaren dhe aktoren turke, Zuhal Olcay, nën akuzën e fyerjes publike ndaj presidentit të vendit, Rexhep Taip Erdogan.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, Prokuroria doli me pretencën e 1 viti e 2 muaj deri në 4 vite e 8 muaj burg për artisten që akuzohej për “fyerje publike” ndaj kreut të shtetit.
Fillimisht, Olcay u dënua me 10 muaj burg, ndërsa pas apelimit, dënimi iu shtua në 11 muaj e 20 ditë burg, por implementimi i vendimit u shty në kohë. Ky vendim u apelua nga avokatët e Erdogan, që e dërguan në Gjykatën Supreme të Apelit, e cila miratoi dje dënimin.
Sipas “Haberturk”, Olcay ka shprehur pendesën për veprimin e saj duke theksuar se “ishte një veprim impulsiv”. Aktorja dhe këngëtarja 61-vjeçare ka luajtur role në më shumë se 15 seriale, që prej vitit 1980. Roli i saj i fundit është ai i Sureyasë në serialin “Shoqëria e Lartë”.