Ftohet në polici Shqiprim Musliu, pasi kishte rikthyer flamurin shqiptar në Konçul
Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu është thirrur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë që të paraqitet në polici, në lidhje me rastin e rreth dy muajve më parë, ku ai e kishte rikthyer flamurin kombëtar shqiptar, në afërsi të përmendores së së dëshmorit të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi.
Musliu përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se do të paraqitet në polici të hënën më 12 korrik.
“Më lejoni t’iu njoftoj se sot kam marrë një ftesë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që të paraqitem më datën 12 korrik 2021 në organet e policisë në Bujanoc. Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar”, njoftoi Musliu.
Ai shtoi se, “si nënkryetar i komunës, do të paraqitem sipas ftesës zyrtare në institucionin ku më është bërë thirrja dhe do të ripërsëris qëndrimin tim lidhur me këtë ngjarje. Përsëris se vendosja e flamurit të Serbisë në atë lokacion paraqet një provokim për komunitetin dhe reagimi im ka qenë konform menaxhimit sa më të mirë dhe në qetësi të kësaj situate”, shkruan tutje ai.
Musliu, po ashtu, shton se “Simbolet kombëtare janë të shenjta dhe duke respektuar këto simbole ne forcojmë themelet dhe vlerat sublime të demokracisë”.
Ndryshe, flamuri serb ishte vendosur dy muaj më parë nga persona të paidentifikuar në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit, në afërsi të përmendores së dëshmorit të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi dhe është dëmtuar përmendorja.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Bujanocit, Shqiprim Musliu, i cili edhe e ka larguar flamurin serb nga aty dhe ka vendosur flamurin shqiptar.
“Prej këtu njoftoj faktorin ndërkombëtar, ku pas pak ditësh është marrëveshja e Konçulit, le të jenë ata në dijeni se çdo ditë po provokohen shqiptarët edhe në pjesët më të ndjeshme, pra tek dëshmorët. Bëj apel që të përcillet ky mesazh”, kishte thënë Musliu.
Ai bëri apel që të merret seriozisht gjendja e shqiptarëve dhe provokimet që po u bëhen atyre atje.